Kristo Frashëri boton libër për Ahmet Zogun

Kultura

Kristo Frashëri boton libër për Ahmet Zogun

Më: 9 prill 2014 Në ora: 12:24

Një libër i ri nga Prof. Kristo Frashëri del në dritën e botimit më 7 prill në ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Libri hedh dritë mbi debatet që rrinë pezull lidhur me rolin e Ahmet Zogut, jo vetëm në atë datë historike, por sipas akademikut Frashëri edhe në debatin që po zhvillohet këto kohët e fundit rreth Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve, nëse duhet të nderohet, të kritikohet apo të dënohet.

Frashëri shprehet se për këtë debat “ka një pështjellim politik, juridik dhe historik, i cili është tepër i theksuar tek pjesëmarrësit që nuk janë historianë”. Duke iu referuar librit që sapo ka dalë në shtyp nga Botimet M&B Prof. Kristo Frashëri shkruan se “Pështjellimi vjen para së gjithash ngase nuk bëhet dallimi midis monarkisë (mbretërisë) si formë regjimi dhe monarkut (sovranit) si kreu i shtetit. Monarkia dhe monarku nuk duhen të identifikohen për arsye se njëri përfaqëson një formë regjimi, kurse tjetri sovranin që atë e drejton.

Ka raste në histori kur monarkia si formë regjimi ka qenë e dobishme për një vend, mbasi nëpërmjet kurorës mbretërore është realizuar bashkimi kombëtar i një populli. Por ka edhe momente kur në një vend vendosja e monarkisë shënon hapa prapa. Sidoqoftë, në çdo rast monarkia duhet të gjykohet nga kushtetuta e saj, nëse ka qenë e dobishme apo e dëmshme, nëse ka qenë kushtetuese apo despotike, parlamentare apo absolute.” Në librin "Ahmet Zogu - vështrim historik", Prof. Kristo Frashëri shprehet se debati mbi monarkun si kryetar i shtetit ka të tjera parametra.

Sipas tij: “Veprimet e një monarku duhen ballafaquar detyrimisht me kushtetutën e monarkisë së tij – nëse ai i është përmbajtur betimit që ka bërë “para Zotit dhe para Popullit” për të respektuar normat e kushtetutës. Vetëkuptohet se historia dënon çdo monark që nuk ka respektuar kushtetutën, rrjedhimisht kur ai ka dëmtuar sovranitetin, integritetin, dinjitetin dhe ardhmërinë politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të atdheut të vet. Nëse pajtohemi me këto kritere të arsyetimit historik, atëherë historiani duhet të hetojë kushtetutën që pati mbretëria kur Zogu u shpall mbret dhe në mënyrë të shkëputur prej saj të vlerësojë veprimtarinë dhe politikën që ndoqi mbreti Zog në respekt të kushtetutës deri më 7 prill 1939.” Një nga çështjet e tjera më të rëndësishme ku profesor Frashri shpreh pikëpamjet e tij është edhe trajtimi i familjes mbretërore sot.

“Në debatin që po zhvillohet, sundon midis johistorianëve edhe një logjikë e padrejtë historike, juridike dhe politike. Harrohet se përgjegjësia për veprimet e mbrapshta ose merita për veprat e mbara të një monarku është personale dhe jofamiljare. Në rast se Ahmet Zogu ka shkelur kushtetutën, kjo nuk do të thotë se duhet dënuar dhe biri i tij dhe, ca më pak, edhe nipi i tij, aq më tepër që ata nuk kishin lindur kur ai ishte mbret”. Si rrjedhim për profesor Kristo Frashërin nuk është e drejtë kritika që antizogistët ekstremistë u drejtojnë demokratëve dhe socialistëve, të cilët përshëndetën më 1996 kthimin në atdhe të familjes së mbretit Zog, përderisa anëtarët e saj, nuk akuzohen për veprime të mbrapshta.

Ai thotë se: “Pikërisht nga këto pështjellime gjejmë rastin për t’iu përgjigjur shkurtimisht pyetjeve: Kush ishte Ahmet Zogu si njeri? Cilat qenë meritat e mbretërimit të tij? Cilat qenë gabimet apo dëmet që atij i atribuohen? Si duhet të cilësohen veprimet e tij, nëse ka ndër to akte të mbrapshta, - tradhti apo gabime të justifikuara? Të shohim!”,

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat