Arbëria bredhëritëse e Jeton Kelmendit

Kultura

Arbëria bredhëritëse e Jeton Kelmendit

Nga: Ivan Rjabçij Më: 20 mars 2013 Në ora: 18:24

Vendi i quajtur Shqipëri në shumëçka më kujton Ukrainën – me gjakimin për t'u përfshirë në Europën e bashkuar, me "zvarritjen" e dështuar gjeopolitike ndërmjet Rusisë dhe BE-së. Historia u suall e tillë, që shqiptarët gjithë kohës qenë të shtrënguar ose t'i shërbenin ndokujt, ose të luftonin për pavarësi. Ky popull heroik – ashtu si ukrainasit – është i lidhur për vdekje me tokën amtare, me çdo gropë e çdo kodër. Një shembull shumë i thjeshtë është poeti Jeton Kelmendi. Vetë mbiemri i tij rrjedh nga emërtimi i kreshtave malore në kufi midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Provoni të gjeni ndonjë mbiemër të tillë si «Karpati» apo «Urali»! Ndërsa në Shqipëri mbiemri Kelmendi të kujton një klan (fis) luftëtar, që i ka shërbyer së lashti udhëheqësve të ndryshëm dhe që dallohen për një moral krejt të pavarur. Jetoni nuk është përjashtim. Ai është një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998-1999), dhe Kosova duhet thënë se shtrihet rrëzë maleve të Kelmendit; ajo përbën zemrën e viseve të Dardanisë. Duhet theksuar, se themeluesi mitik i Trojës Dardani, përmes arratiakut mitik prej Ilionit në flakë dhe themeluesit të Romës, Eneut, i bie të jetë katragjysh i të gjithë romakëve të vjetër. Kështu pra Adriatikun e ndanin bashkërisht dy popuj burrërorë – dardano-shqiptarët dhe latini-italianët…
Po çfarë vendi është ky (Shqipëria)? Shqipëria postkomuniste, që ende kullon gjak nga plagët e kujtesës për viktimat e regjimit (komunist)? Iliria me historinë e saj mijëvjeçare të luftës heroike me pushtuesit? Arbëria legjendare, tashmë e rilindur në Kosovën krenare? Apo Dardania mitike, që u bë një nga trashëgimtaret e Trojës? Për Jeton Kelmendin është veçse një, i njëjti vend, i njëjti skaj (po, «skaj» – një fjalë e saktë, sepse skaji gjendet, si të thuash mënjanë, në shmangie, nuk njeh kufij dhe gjallon në tymnajë të mjegullt ëndërrimesh dhe kujtimesh); skaj ëndrrimesh – të trishta e të hareshme, zemërake e ngadhënjyese. Shqipëria është një nga temat fundamentale të krijimtarisë së tij. E adhuruar në shumë tekste të Jetonit, ajo identifikohet me visin amtar; ato është e pamundur t'i ndash.
Ne me Jetonin jemi të një moshe, d.m.th., njerëz të një moshe të re. Megjithatë ngjarjet e jetës së tij që tani mjaftojnë për disa njerëz njëheri. Gjykojeni vetë: lufta në Kosovë, emigracioni në Belgjikë, rikualifikimi në gazetari për politologji, veprimtaria aktive shoqërore. Madje suksesi i parë poetik i Kelmendit nuk ka qenë aspak i lidhur me gjendjen ndikuese të emigrantit. Në vitin 1999, kur Jetoni ishte ende ushtar i UÇK-së, u botua libri i parë poetik i tij – «Shekulli i premtimeve». Ky është një bilanc lirik origjinal i historisë së viseve të vendlindjes përgjatë shekullit XX dhe pati një sukses të bujshëm. Përgjatë pak vitesh poezia e Kelmendit u përkthye në 22 gjuhë (ndër to dhe në ukrainisht; pak kohë më parë në «Tverdiniі» doli një përkthim i mrekullueshëm i Ana Bagrjanovës – «Na vjerhiv'i çasu»). Një udhë e mahnitshmne – nga poeti fillestar deri tek "zëri i Kosovës" (kështu e quajnë herë-herës Kelmendin).
Nuk është e çuditshme, që përfaqësuesi i klanit luftëtar të Kelmendit u bë shkrimtar. Sepse përmendja e mësipërme e emrit të vargmaleve rrjedh nga emri i Shën Klementit të Ohrit – peshkopit të parë bullgar dhe mbrojtësit të kishës së Maqedonisë. Gjithashtu shkrimtar dhe përkthyes. Ai ka përkthyer këngëtime religjioze në starosllavjanskij dhe ka shkruar liturgji, ka shkruar jetëshkrimet mbi shën Kirillin dhe Metodin (ndër të tjera, Klementi ka qenë nxënës i tyre); ai ka qenë edhe një prej përpunuesve të alfabetit cirilik. Kështu që tradita poetike e Arbërisë e merr zanafillën që nga mesjeta e hershme.
Fakti që Jeton Kelmendi është emigrant, nuk përbën habi. Jo shumë kohë më parë Ukrainën e vizitoi shkrimtarja zvicerane me origjinë shqiptare - Besa Myftiu. «Për fat të keq, – rrëfeu ajo në një intervistë, – intelektualët në Shqipëri nuk i vlerësojnë. Deri në nivelin europian atje janë ende larg. Atdheu im ka mbetur prapa Europës së bashkuar si minimum nja 50 vjet. Ashtu si Ukraina. Ndoshta, pikërisht për këtë unë e ndjej veten këtu njëlloj si në shtëpi …». Madje dhe shkrimtari më i dëgjuar shqiptar - fitues i çmimit buker priz të vitit 2005, Ismail Kadare - jeton që nga viti 1990 në Francë. Gazeta britanike «The Independent» e ka quajtur atë «Kafka i gjeneratës sonë». Sidoqoftë, nuk është se në Shqipëri gjithçka shkon keq – po ai Kadare kthehet shpesh në atdhe, ndërsa romanet e tij, që deri në vitin 1990 kanë qenë të ndaluara, tashmë janë botuar gjerësisht në gjuhën shqipe.
Kudo që të jetoj një ukrainas, ai do të shkruajë për Ukrainën. Le të ndërmendim, për shembull, Olga Mak, Ivan Bagrjan-in dhe Vasil Bark-un. Kudo që të jetojë një shqiptar - ai do të shkruajë për Shqipërinë. Ose, së paku, për një prej cepave të "tokës shqipfolëse", siç u pëlqen të shprehen gazetarëve perëndimorë.
«E habitshme, – u tha gazetarëve Besa Myftiu, – Shqipëria është atdheu im, ndërsa vendi ku unë jetoj tani, Zvicra, më duket ende një vend i largët ekzotik. Ndoshta, pikërisht ngaqë me mendje unë gjithmonë kthehem andej, sajoj histori të ndryshme pikërisht në tokën shqiptare...». E njëjta ngjet dhe me Jetonin. Poshtë poezive të tij shënohen vendet dhe datat; në Paris dhe Bruksel ai shkruan për Shqipërinë, Ilirinë dhe Kosovën, për Nënë Terezën. Kjo e fundit është për Jetonin një simbol i rëndësishëm i viseve të vendlindjes. Agnes Gonxhe Bojaxhiu – emri i vërtetë i Nënë Terezës – ka lindur në një familje shqiptare në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup. Ndryshe nga Tereza tjetër – shenjtorja e njohur franceze, ajo ishte paradoksale, sikundërse çdo shqiptar. Thëniet e saj të habisin menjëherë. «Aborti, – ka thënë ajo, – është shkaku themelor i rrënimit të botës, sepse në qoftë që nëna mundet të mbysë fëmijën e saj, atëherë çfarë më ndalon mua t'ju vras, apo ju të më vrisni mua?». Pranojeni, nuk është një pohim njëkuptimësh për botën bashkëkohore. Ja edhe diçka tjetër – në pikëvështrimin tim, një sentencë tipike shqiptare: «Jezusi ka thënë – duajeni të afërmin tuaj. Ai nuk ka thënë: «Duajeni gjithë botën»…
Në vitin 2010 bota përkujtoi njëqindvjetorin e lindjes së Nënë Terezës, ndërsa në vitin 2012 u festua një datë tjetër – njëqindvjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Në jubileun e parë Jeton Kelmendi botoi vëllimin poetik «Gjithmonë fillimi heshtur », ndërsa për jubileun e dytë, u botua përkthimi i poezisë së tij në ukrainisht. Poezi, të cilën Athanas Vançev de Trasi – përkthyes i veprës së Kelmendit në frëngjisht - e ka quajtur "Një kopsht i fshehtë, plot me lule të rralla »…

Përktheu nga ukrainishtja: Agron TUFA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat