Strategjia për parandalimin e ekstremizmit me mangësi të shumta

Kosova

Strategjia për parandalimin e ekstremizmit me mangësi të shumta

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 13:14

Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në terrorizëm, e miratuar nga Qeveria e Kosovës, po vlerësohet nga njohës të sigurisë se ka mangësi të mëdha çka do të vështirësoj implementimin e saj.

Mos diskutimi i saj me qytetarët po shihet si mangësia kryesore e kësaj strategjie. Por në anën tjetër zyrtarë të Qeverisë thonë se Kosova është e para në rajon që ka miratuar një strategji të tillë, derisa besojnë se implementimi do të jetë ashtu siç është planifikuar.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani thotë për KosovaPress se elementet të cilat kjo strategjie nuk i jep përgjigje reale dhe të duhur situatës në të cilën gjendet Kosova dhe shoqëria kosovare ka të bëjë me dy pjesë, që nuk ështëgjithëpërfshirëse dhe elementi i dytë përsëritja e masave ndëshkimore që kanë autoritetet e zbatimit të ligjit.

Ramadani: Elementet negative të strategjisë

“Pjesa e parë ka të bëjë me elementin e përfshirjes, respektivisht gjithëpërfshirës, nuk ka pasur gjithëpërfshirje...Pjesa e dytë e aspe ktit negativ është fakti se kjo strategji është marr më shumë me definim të masave ndëshkimore, respektivisht me përsëritje të masave ligjore që kanë institucionet kryesisht të zbatimit të ligjit, por është marr me pak me deredikalizim dhe fare me riintegrim, që janë dy elemente tepër të rëndësishme. Dhe është marr me pak me nivelin shoqëror të diskutimit të kësaj teme, të ngritjes së vetëdijes tek prindërit, tek arsimtarët, mësimdhënësit, tek prokurorët, gjykatësit, strukturat e ndryshme shoqërore, autoritetet lokale, autoritetet tradicionale të cilat duhet të kenë dhe kanë rol të rëndësishëm në shoqëri”, thotë Ramadani.

Ramadani nuk ka dashur të paragjykoj nëse strategjia do të ketë rezultate, por sipas tij, një fakt është që strategjia që do duhej të jepte përgjigje në të paktën disa drejtime kryesore, nuk ka arritur të jep ato përgjigje.

Ramadani: Strategjia nuk iu dha përgjigje pyetjeve kryesore

“Shembull një prej pyetjeve që do të duhej të jepej është fusha e arsimit, çka ndodh me shkollat publike, shkollat private dhe cili është relacioni i nxënësve që ka raste të cilët bëjnë mungesa në shkollë për shkak se shkojnë t’i kryejnë disa rite fetare, për të cilat duhet të kemi respekt por për nxënësit që janë në shkollë çka ndodh me ta, çka ndodh me menaxhmentin e asaj shkolle, arsimtarët, prindërit, cila është përgjegjësia, reagimi, detyra që këto struktura shoqërore duhet të kryejnë. Pra, këto është dashur që strategjia të fokusohet me shumë”, tha ai.

Ai e quan mos kuptim të krejt kompleksit që ka të bëjë me ekstremizmin dhe radikalizmin nga ana e Qeverisë, kur deklaron se kërcënuesi kryesor për Kosovën është ISIS-i. Sipas Ramadanit, ISIS-i është një prej kërcënuesve kryesor të Kosovës, por strategjia dhe institucionet do duheshin t’i jepnin përgjigje çështjeve se si Kosova do të parandaloj bashkëngjitjen e qytetarëve të Kosovës në ideologji të tillë, jo vetëm bashkëngjitja në organizatë.

Ndërsa, Skënder Perteshi nga Qendra për Studime të Sigurisë së Kosovës thekson për KosovaPress, se si strategji për kohë që është bërë dhe për momentin që është bërë është gjithëpërfshirëse dhe deri në një masë i adreson të gjitha sfidat dhe kërcënimet që dalin nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi në Kosovë.

Sipas tij, kjo strategji ka një mangësi kryesore, e cila do të vështirësoj edhe implementimin e saj në praktikë.

Përteshi: Strategjia nuk u diskutua me qytetarët

“Mangësia kryesore e kësaj strategjie është se nuk janë dëgjuar shumë qytetarët. Nuk ka qenë dokument për diskutim publik, sepse për të qenë një dokument sa gjithëpërfshirës, dhe për t’i përfshirë gjithë qytetarët për ta parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin është dashur të dëgjohen edhe opinionet e qytetarët. Megjithatë, strategjia ka qenë gjithëpërfshirëse vetëm me akterët në nivel qendror, qoftë me shoqërinë civile, qotë me mediat, qoftë me organizatat ndërkombëtare apo institucionet tjera qendrore”, tha ai.

Por ndryshe mendon këshilltari për siguri nacionale i kryeministrit Isa Mustafa, Edon Myftari i cili thotë është punuar mjaftë shumë që strategjia të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe t’i adresoj të gjitha sfidat. Myftari tha për KosovaPress se Kosova është vendi i parë në rajon që miraton një strategji të tillë.

Myftari: Strategjia ka katër objektiva

(Video)

“Unë mund të them se si shtet prijmë në rajon në aspektin ligjor dhe në aspektin e zhvillimit të strategjisë dhe aktiviteteve të saja që të luftohet kjo dukuri dhe jemi të parët që miratojmë këtë strategji. Natyrisht kjo punë nuk duhet dhe nuk guxon të jetë vetëm në letër, ne kemi masat të cilat veç po ndërmerren nga akterë të ndryshëm në terën. Aktualisht MPB-ja por edhe organizatat tjera të cilat aktivitetet e tyre i zbatojnë në harmoni me ato masa që janë paraparë më planin e veprimit. Vlen të theksohet se janë katër objektiva në këtë strategji që janë me rëndësi të veçantë. Është identifikimi i hershëm, ku bëhet identifikimi i fenomenit dhe problemeve që mund të shfaqen në fillim të një ekstremizmi dhe radikalizmi që mund të shpie në terrorizëm, pastaj kemi masat e parandalimit që lidhet me intervenimin dhe e katërta po jo më e parëndësishmja është deredikalizimi dhe riintegrimi të cilët janë deredikalizuar dhe i kthehen jetës kosovare pa paraqitur ndonjë rrezik për sigurinë naciona le”, tha Myftari.

Vendimi për hartimin e Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm, ishte marrë vitin e kaluar, derisa gjatë këtij muaji u miratua në kabinetin qeveritar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat