Gjykata speciale, rezultat i paaftësisë së qeverisë së PDK-së!

Kosova

Gjykata speciale, rezultat i paaftësisë së qeverisë së PDK-së!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 1 korrik 2015 Në ora: 09:31

Mosvotimi i Gjykatës Speciale në Parlamentin e Kosovës po diskutohet me emocione që i tejkalojnë bindjet racionale të të gjithë njerëzve vullnetmirë!

Pse kaq zhurmë dhe akuza të pabazuara për një vendim demokratik të Parlamentit të Kosovës?! Siç duket, dëshira e shumicës për ta parë Kosovën të çliruar nga mëdyshjet e arsyeshme e ka sjellur një situatë të tillë, në të cilën, me apo pa arsye, po vihet në dyshim përcaktimi i politikës vendore për integrime euroatlantike, vlerëson njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi.

Ai thekson se, propozimi për themelimin e Gjykatës Speciale nuk erdhi si rastësi apo dëshirë e ndërkombëtarëve për të sunduar vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës.

“Përkundrazi, presioni ndërkombëtar erdhi si rezultat i paaftësisë politike të qeverive të PDK-së për të dhënë përgjigjen e duhur, duke mbështetur në mënyrë aktive formimin e Gjykatës për Krimet e Luftës, e përmes së cilës, dilema e sotme për kinse dëshirën e mangët për ballafaqim me të kaluarën tonë nuk do vihej fare në tryezën e diskursit publik vendor e ndërkombëtar. Që nga rishpallja e pavarësisë më 2008, qytetarët tanë i kanë votuar dhe toleruar qeveritë autoritare të drejtuara nga PDK-ja e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt dhe Kadri Veselit!”, thotë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në këtë konstatim objektiv, besoj se nuk ndryshon asgjë formimi i Partisë NISMA për të shpëtuar pushtetin personal të Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt.

“Reagimi aspak i matur dhe tejet tendencioz e antikombëtar i Hashim Thaçit dhe qeverisë së tij ndaj sfidës që po e priste Kosovën nga Raporti i Dik Martit, e ka sjellur Kosovën buzë humnerës dhe dështimit. Përgjegjësinë për këtë gjendje duhet ta ndjejë edhe Jakup Krasniqi, sepse jo rrallë, deklaratat e tij politike kanë qenë tendencioze dhe irracionale. Nuk mbrohen "çlirimtarët" duke e mbështetur paaftësinë e kryerjes së detyrave që i morën përsipër qeveritë e kaluara të Hashim Thaçit! Të njëjtën këngë, "Zot bone llugë" e kanë kënduar edhe partitë e atëhershme opozitare. Asnjëra prej partive të atëhershme opozitare nuk është angazhuar me seriozitet maksimal për formimin e Gjykatës për Krimet e Luftës! Partitë opozitare nuk janë ulur asnjëherë së bashku për ta diskutuar seriozisht sfidën me të cilën po ballafaqohet Kosova sot!”, vlerëson Gashi.

Ai thekson se, Kosova ka nevojë për një kalitje të mbamendjes, për një vetëdijesim cilësor, për një profesionalitet në politikbërje dhe jo për tenderomani fjalimesh, e as për angazhime dhe lot krokodili kur çdo gjë merr fund dhe vendi të jetë mbështetur për murin kinez!

“Kosova ka nevojë për një opozitë të mirëfilltë kombëtare dhe çlirimtare. Opozitë kombëtare, sepse pjesa dërmuese e partive opozitare menaxhohet nga ish kuadrot komuniste të Sigurimit të Enver Hoxhës. Politikë çlirimtare, sepse nuk kemi tjetër rrugëdalje! Ne si qytetarë duhet të çlirohemi me forcat tona nga "çlirimtarët" uzurpatorë të pasurisë publike, nga uzurpatorët e lirisë, nga uzurpatorët e fjalës së lirë, nga listat politike të "veteranëve të luftës" dhe nga frika e paarsyeshme nga ndërkombëtarët”, thotë Arbër Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat