Veseli-Zhbogar: Procesi i liberalizimit të vizave mbetet prioritet nacional

Kosova

Veseli-Zhbogar: Procesi i liberalizimit të vizave mbetet prioritet nacional

Më: 4 maj 2015 Në ora: 14:31

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën nga ana e Komisionit Evropian.

Zhbogar e ka përgëzuar Veselin për MSA-në, duke e konsideruar këtë një të arritur të madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj në procesin e integrimeve evropiane.

“Zhgobar shprehu konsideratën e tij për institucionet e Kosovës, të cilat kanë shprehur përkushtimin për kryerjen e detyrave që dalin para tyre në këtë proces”, njoftoi zyra e shtypit e Kuvendit.

Kryeparlamentari Veseli ka falënderuar Zyrën e BE-së në Kosovë dhe drejtuesin e saj personalisht, për angazhimin e tyre në këtë drejtim, ndërsa konsideratë të veçantë ka shprehur edhe për deputetët e Parlamentit Evropian, që janë vazhdimisht afër institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës. Liberalizimin e vizave, kryetari i Kuvendit e ka vlerësuar me rëndësi të madhe për Kosovën, veçanërisht për të rinjtë e saj, si një resurs tepër të vlefshëm të vendit.

Veseli konsideroi se detyrat e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve në këtë proces janë të pashtyeshme, ndërsa vlerësoi se krahas kësaj, edhe faktori ndërkombëtar duhet të ndikojë pranë Bashkimin Evropian që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, thuhet në njoftim.

“Procesi i liberalizimit të vizave mbetet prioritet nacional deri në realizimin e plotë të tij”, ka theksuar Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat