Policia e Kosovës e “padukshme” në Karaçevë

Kosova

Policia e Kosovës e “padukshme” në Karaçevë

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 17:13

Banorë të fshatit Karaçevë të Kamenicës thonë se që pesë-gjashtë muaj Policia e Kosovës nuk patrullon në këtë fshat. Zëdhënësi i policisë Baki Kelani thotë se forcat e rendit janë të pranishme në zonën e tyre të përgjegjësisë. KFOR-i nuk u është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com-it për këtë çështje me arsyetimin se atyre mund t’u japë përgjigje policia.
Nëse ndodh ndonjë aksident komunikacioni ose ndonjë incident në lagjet e fshatit Karaçevë e Epërme të Kamenicës, kohëve të fundit nuk duhet pritur ndihmën e Policisë së Kosovës.

Verën e vitit 2014 kur ndodhi një aksident me fatalitet në këtë fshat forcat e rendit sipas banorëve dolën në vendngjarje me rroba dhe makina civile.

“Bash në këtë rrugën afër 50 metra largësi ka ndodhë aksidenti natën, kanë ardhë policia me tesha civile dhe vetura civile, kurse nuk kanë ardhë me vetura zyrtare të policisë”, thotë Mehmet Kastrati.

Ai tregon se policia nuk është parë në këtë fshat kufitar me Serbinë që pesë-gjashtë muaj.

“Policia e Kosovës momentalisht nuk vie. S’di çka me KFOR-in, ja ka ndërpre, nuk vinë momentalisht. Jo momentalisht, po për një kohë 5-6 muaj përafërsisht”, thotë Mehmet Kastrati.

Serbia pretendon se një pjesë e fshatit i takon asaj, por vija kufitare mes dy shteteve nuk është përcaktuar ende, ndërsa banorët thonë se fshati gjithmonë i ka takuar Kosovës.

“Unë i kam 80 vjet kurrë nuk o kanë e Serbisë. Tash kanë dalë e po thojnë një arë është e Breznicës. E jonja është, udha jon thojnë Serbia edhe e kan nalë”, thotë i moshuari Xhemajl Kadria.

Breznica është fshati fqinj me Karaçevën në anën serbe të kufirit.

Por zëdhënësi i policisë Baki Kelani, thotë e policia patrullon në zonën e saj të përgjegjësisë.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja patrulluese të Policisë Kufitare kryen patrullime deri në zonën e lejuar të përgjegjësisë së saj, ndërsa për vijën e gjelbër dhe zonën e përgjegjësisë që i takon KFOR-it, duhet t’i adresoheni vetë KFOR-it”, tha Kelani.

Zyra për Informim e KFOR-it nuk u është përgjigjur deri tash pyetjeve të dërguara nga KALLXO.com-i, duke sugjeruar që atyre mund t’u përgjigjet Policia e Kosovës.

Megjithatë Gjykata Themelore e Gjilanit-Dega në Kamenicë po ka problem kur duhet ta sigurojë praninë e të akuzuarve nga Karaçeva e Epërme nëpër seanca gjyqësore.

“Mungon i akuzuari A.K, për të cilin është lëshuar urdhër për sjellje me dhunë, mirëpo sipas konfirmimit përmes telefonit Policia e Kosovës nuk ka qasje në territorin e fshtait Karaçevë e Epërme”, thuhet në vendimin e gjyqtares Valbona Dërvodeli të datës 04 nëntor 2014.

Rasim Lenjani, një banor tjetër i Karaçevës thotë se mosprania e policisë në këtë fshat është e rrezikshme.

“As trotuar nuk kanë lanë, as kurrgjë. Mundet me i shkel kerri, 150 tu i grahë s’ka kush me i kqyrë”, thotë Lenjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat