Dënimi i Mujës, karakteristikë e 100-ditëshit të qeverisjes lokale

Kosova

Dënimi i Mujës, karakteristikë e 100-ditëshit të qeverisjes lokale

Më: 5 prill 2014 Në ora: 11:35

Në 100 ditët e parë të qeverisjes komunale në Prizren përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile kanë evidencuar ngecje të shumta në vendimmarrje dhe ekzekutim projektesh të premtuara gjatë fushatës paraelektorale, shkruan gazeta “Koha Ditore”.

Ndërkohë që zyrtarët komunalë kanë shprehur qëndrimin se udhëheqja lokale ka përtërirë kontratën me qytetarët për të tretën herë dhe se është duke vazhduar me jetësimin e planit të vet qeverisës.
Qëndrimi i partive opozitare është se këtë periudhë e ka karakterizuar dënimi i kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, nga Gjykata Themelore, duke e shpallur fajtor për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Kjo situatë, sipas tyre, ngre dilema të shumta morale sa i përket qeverisjes në Prizren. Kryetari i BD-së, Zafir Berisha, ka shprehur bindjen se në këtë komunë nuk ka nevojë për të debatuar mbi performansën 100-ditore të qeverisë lokale.
“Komuna me një kryetar të dënuar nga gjykata është treguesi më i mirë për 100-ditëshin e kësaj qeverie. Qëndrimi në detyrë i këtij kryetari vë në sprovë edhe KK-në, që duhet të shqyrtojë propozimet e një kryetari të dënuar”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka shtuar se vetë propozimi për rendin e ditës së mbledhjes së radhës të KK-së jep dëshmi se po tentohet të miratohen disa vendime urbanistike për përfitime materiale të parapolitikës së partisë në pushtet.

Ndërsa Arbër Rexhaj nga “Vetëvendosje!” ka theksuar se nuk mund ta vlerësojë punën 100-ditore të Mujës sepse, sipas tij, kryetari i dënuar në këtë periudhë nuk ka bërë asgjë, pos që është marrë me seanca gjyqësore, që në fund kanë rezultuar me dënimin e tij me 2 vjet burgim me kusht dhe 30 muaj mosushtrim të funksionit publik.

“Deri vonë me përplasje të brendshme, me interesa të klaneve brenda partiake, ai nuk ka mundur t’i përzgjedhë drejtorët e vet. Në KK ka propozuar për rend dite pika të cilat kanë të bëjnë me çështje solemne, asnjë hap e projekt konkret nuk e ka zhvilluar. Nuk është marrë me qytetarin e qytetin”, ka thënë Rexhaj.

Sipas tij, e mira e vetme që ka ndodhur në këto 100 ditë ka ardhur nga drejtësia, që e ka dënuar Mujën. “Pa e pritur 100-ditëshin ai është dashur të jepte dorëheqjen, së paku për arsye morale”, ka deklaruar Rexhaj.

Naim Cahani nga KDI-ja, që ka monitoruar premtimet gjatë fushatës dhe zbatimin e tyre në tremujorin e parë qeverisës, ka theksuar se ekziston një numër premtimesh të kryetarit Ramadan Muja që kanë mbetur në letër.

“Si premtime të parealizuara në 100 ditët e para kemi veçuar atë për tregjet dhe parkimet me partneritet publiko-privat, pastaj ndërtimin e objektit të bibliotekës, mungesën e transparencës së kryet - arit në bordin e drejtorëve, sikurse mungesa e inicimit të veprimeve në Qendrën Historike”, ka thënë Cahani.

Ndërsa premtimet që kanë nisur së zbatuari, sipas tij, janë rivitalizimi i “Sheshit të Lidhjes”, ndarja e subvencioneve e participim për serra dhe subvencione për bujqit.

“Vonesa në konstituimin e Qeverisë lokale ka reflektuar në mosangazhimin e saj në realizimin e shumë projekteve, të cilat parashihen me projekbuxhetin e 2014-s“, ka pohuar Cahani.

Ai ka vlerësuar se Muja në 100 ditët e para as nuk e ka kompletuar Ekzekutivin, ngase ende nuk e ka propozuar në KK emrin e nënkryetarit të komuniteteve. Monitoruesja tjetër nga “EC Ma Ndryshe”, Elmedina Baxhaku, ka bërë të ditur se “dinamika e mbledhjeve të Qeverisë komunale në Prizren nuk ka qenë në nivel të pritur”.

“Gjatë 100 ditëve, ne në cilësinë e monitoruesve vetëm një herë jemi ftuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Qeverisë lokale, që është udhëhequr nga nënkryetari i Komunës”, ka thënë Baxhaku.

Mirëpo zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka pohuar se Ekzekutivi lokal respekton mendimin ndryshe, por se është më e kujdesshme nga opozita dhe shoqëria civile në vlerësime.

“Konstatimet e tyre nuk qëndrojnë sepse qytetarët e kanë vazhduar kontratën me PDK-në në udhëheqje të koalicionit qeverisës dhe nuk ka pasur nevojë të ndalej trendi i zhvillimit në komunën tonë”, ka thënë ai.

Si projekte konkrete që kanë nisur së zbatuari, sipas tij, janë ai i ndërtimit të rrugës në transitin e vjetër, në vlerë prej afro 2 milionë eurove, pastaj nisja punimeve në “Sheshin e Lidhjes”, si dhe subvencionet në bujqësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat