Tudor prezantohet te Lazio

Futboll

Tudor prezantohet te Lazio

Më: 23 mars 2024 Në ora: 15:58
Igor Tudor

Pasi refuzoi skuadra si Roma e Napoli, Igor Tudor vendosi t’i thotë po Lazios, ku ka nisur punën që prej ditës së hënë dhe ka marrë përsipër misionin për të mbyllur sa më mirë sezonin aktual.

Tekniku i mirënjohur kroat, i cili në Itali ka bërë mirë edhe në stolin e Veronës, zbuloi edhe arsyet që e bindën të pranojë ofertën e Claudio Lotitos për t’u ulur në pankinën e Lazios.

“Është një skuadër shumë e rëndësishme. Ofertën e pranova sepse është Lazio. Këtu roli i trajnerit është shumë i rëndësishëm dhe që nga jashtë kuptova se kanë një projekt interesant e afatgjatë. Janë të gjitha bazat për të bërë një punë të bukur dhe afatgjatë”, u shpreh Tudor.

Fjalë të ëmbla nga kroati edhe për paraardhësin e tij, Maurizio Sarri, që qëndroi në stolin e bardhekaltërve për më shumë se dy sezone dhe u largua vetëm pak ditë më parë me vullnetin e tij të plotë.

“Sarrin e kam admiruar gjithmonë për punën dhe mënyrën se si i bënte të luanin skuadrat e tij. Ka futur një kulturë pune të jashtëzakonshme dhe më ka lënë një skuadër të përgatitur shumë mirë në të gjitha drejtimet. Çdo trajner fut idetë e tij, por gatishmëria për të bërë mirë është kryesorja”, tha kroati.

Trajneri i bardhekaltërve shmangu edhe komentet mbi ndryshimin e skemës, teksa bëri të qartë se fillimisht do të duhet të analizojë të gjithë futbollistët që ka në dispozicion.

“Nuk ka rëndësi më shumë skema, sesa stili i lojës dhe mënyra se si qasemi në një ndeshje.

Sigurisht që unë kam idetë e mia, por para se të vendosim për skemën, duhet të vlerësoj të gjithë futbollistët që kam në dispozicion dhe atë që ata mund të na japin. Prioritet kemi të bëjmë sa më mirë këto dy muaj dhe të hedhim bazat për sezonin e ri”, tha trajneri.

Igor Tudor do të debutojë në stolin e Lazios të shtunën e 30 marsit me përballjen ndaj Juventusit, që do të startojë në orën 18:00 në “Olimpico.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat