Lufta për titull s’ka mbaruar

Futboll

Lufta për titull s’ka mbaruar

Më: 14 janar 2024 Në ora: 12:53
Feti Murseli

Ndonëse stinori vjeshtor nuk shkoi sipas planifikimeve për shkak të shumë rezultateve jo të mira, te skuadra gjilanase Drita edhe më tutje nuk dorëzohet sa i përket garës për titullin e kampionit të Kosovës.

Zëvendëspresidenti, Feti Murseli ka thënë për KosovaPress se titulli i kampionit është pikësynimi i Dritës në çdo sezon, edhe pse ky edicion deri më tani nuk ka shkuar sipas planifikimeve. Ai thotë se ndryshimi i shumë trajnerëve ishte njëra nga arsyet që ndikuan në formën jo të mirë të skuadrës.

Murseli: Ndryshimi i trajnerëve ndikoi në rezultatet jo të mira

“Është tashmë e ditur, Drita gjithmonë objektivat i ka për kreun e tabelës, që për ne do të thotë titulli kampion. E kemi nisur mirë pas garave evropiane, mirëpo patëm mos-rezultate në vazhdimësi. Ekipi kishte mangësi në rezultate, pastaj edhe ndryshimi i trajnerëve, ku ndryshuam tre trajnerë që nuk është e natyrës sonë që të ndryshojmë trajnerë kaq shumë shpesh, mirëpo situata e tillë, mos ecuria e rezultateve që erdhën, u desh të bëjmë ndryshime te trajnerët. Kur Drita dihet që në të kaluarën hiç më pak se trajneri Ardian Nuhiu ka qenë me ne më shumë se katër vjet e gjysmë. Kjo do të thotë shumë edhe për ne mosrealizimi i objektivave në këtë gjysmë stinor mund të jetë edhe ndryshimi i shumtë i trajnerëve”, theksoi Murseli.

Duke folur për trajnerin Akis Vavalis i cili u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta, Murseli u shpreh se në Kosovë ai ishte atakuar shumë vetëm pse vinte nga Greqia dhe jo për shkak të rezultateve.

Murseli: Vavalis ‘u sulmua’ pasi ishte grek

“Po fillojmë me largimin e trajnerit Akis Vavalis. Erdhi pasi në të kaluarën, apo edhe tani, nuk kishim një ecuri kaq të dobët të rezultateve në katër ndeshjet e fundit. Kishim tri humbje dhe një barazim. Kjo ishte arsyeja pse ne në një takim të përbashkët me trajnerin Akis Vavalis u dakorduam ta ndërpresim bashkëpunimin që ishte më e mira për klubin dhe arritëm marrëveshje duke e falënderuar atë për profesionalizmin e treguar gjatë gjithë kohës dhe në fund u dakorduam dhe arritëm një marrëveshje xhentëlmenësh me trajnerin Vavalis... Është atakuar shumë në emisionet sportive të ndryshme, mendoj që e vetmja arsye që është atakuar ishte që ishte nga Greqia, që është cekur në shumë emisione”, theksoi Murseli.

Vavalis u pasua nga trajneri i ri Zekirja Ramadani për të cilin Murseli zbuloi se ishte emri i vetëm në listën e tyre për ta drejtuar Dritën.

Murseli: Ramadani ishte alternativa e vetme për trajner të Dritës

“Zakonisht në të kaluarën kur kemi menduar paraprakisht te trajneri Arsim Thaqi dhe Vavalis, ne si kryesi e bënim një listë me tre apo katër emra të mundshëm, që janë të lirë. Varet edhe prej trajnerëve që janë të lirë në atë kohë, mirëpo te trajneri Zekirja Ramadani, në momentin që ishte i lirë, në takimin e parë, duke e vërejtur edhe dëshirën e trajnerit Zekirja Ramadanit që t’i bashkohet grupit tonë, do të thotë se ai në këtë afat në kërkim të trajnerëve ishte i vetmi në listën tonë dhe nuk e kemi kontaktuar asnjë trajner tjetër. Akordi është arritur shumë shpejt qysh në takimin e parë dhe e vlerësojmë dhe falënderojmë trajnerin Ramadani për vlerësimin që na e bëri neve dhe dëshirën që kishte për t’iu ofruar klubit tonë”, bëri të ditur Murseli.

Duke folur për anën financiare, Murseli thotë se Drita është shembull për menaxhimin duke bërë kështu që për vite me radhë, drejtuesit e klubit të mos përballen me asnjë rast të hapur me lojtarët sa i përket çështjes së pagave.

Murseli: Drita ka stabilitet financiar

“Ne si kryesi e bëjmë buxhetin njëvjeçar dhe e kemi parasysh sa e kemi buxhetin për atë vit. Planifikohet buxheti njëvjeçar dhe deri më tani kemi marrë lojtarë që janë të mbuluar me kosto financiare që na është dhënë nga presidenti i klubit dhe derisa të përfundojë sezoni nuk e kemi telashe problemin financiar, për arsye se e planifikojmë më herët dhe nuk guxojmë të rrezikojmë të dalim jashtë planifikimit financiar që është nga presidenti. Kjo na ka ruajtur që deri më tani, viti i tetë që po e përfundojmë asnjëherë nuk kemi pasur asnjë problem apo ankesë nga ish-lojtarët dhe lojtarët aktual, apo ndonjë rast të hapur, mos të them si klubet tjera për çështje financiare”, deklaroi Murseli.

Sa i përket luftës për titull, Murseli shprehet se asgjë nuk ka mbaruar dhe se Drita do të jetë në garë deri në fund të kampionatit.

Murseli: S’ka mbaruar asgjë në luftën për titull të kampionit

“Kemi para nesh edhe 18 xhiro që do të thotë shumë. Besojmë që ne nuk do të humbasim pikë siç bëmë këtë sezon me ekipet që janë në fund të tabelës. Shpresoj se do t’i marrim më seriozisht, kryesia, shtabi i trajnerëve dhe lojtarët dhe se jemi në garën e duhur për titull. Ende nuk ka mbaruar asgjë duke marrë parasysh se viteve të kaluara ishim apo edhe ekipe të tjera kishte me minus 13 pikë dhe minus 7 pikë dhe se në fund të kampionatit vendi i parë me të dytin i ndryshuan vendet, kishim këtë fat të keq edhe ne”, tha Murseli.

Për shkak të rezultateve negative gjatë stinorit vjeshtor, në disa raste grupi i tifozëve “Intelektualët” kërkonte ndryshime në hierarkinë e klubit, por Murseli theksoi se këto mospajtime janë sqaruar tashmë.

Murseli: Me “Intelektualët” i kemi sqaruar mosmarrëveshjet

“Është një grup, nuk janë të gjithë ‘Intelektualë’, është një grup që e kemi sqaruar. E kanë dëshmuar veten në tribunë ‘Intelektualët’, po e dëshmojnë rregullisht në garat evropiane dhe ndeshjet futbollit në Superligën e Kosovës që nuk kanë munguar në asnjë ndeshje deri në tri ndeshjet e fundit. Besoj që ai problem është tejkaluar, kërkesat e tyre i ka sqaruar edhe presidenti i klubit në një postim. Ne nuk kemi asnjë problem me ta, mund të them lirisht që edhe ata e dinë mirë shumë që jemi klubi i vetëm në Kosovë që të gjitha kërkesat e tyre në lidhje me koreografi apo udhëtime, iu kemi qëndruar prapa dhe do të vazhdojmë t’iu qëndrojmë”, theksoi Murseli.

Pas edicionit vjeshtor, Drita renditet e treta me 34 pikë, gjashtë më pak se lideri dhe kampioni në fuqi, Ballkani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat