Ancelotti: E ardhmja e Realit do të jetë e mbushur me suksese

Futboll

Ancelotti: E ardhmja e Realit do të jetë e mbushur me suksese

Më: 1 janar 2024 Në ora: 13:22
Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti nuk e ka fshehur gëzimin e tij që do ta vazhdojë punën në Real Madrid.

Trajneri italian së fundmi arriti marrëveshje të re dyvjeçare me “Los Blancos”, të cilët do t’i drejtojë deri në vitin 2026, duke e hedhur kështu poshtë mundësinë që ta drejtojë Kombëtaren e Brazilit nga vera e ardhshme.

E “DonCarlo” është i bindur se madrilenët, të udhëhequr nga presidenti legjendar, Florentino Perez, do ta kenë të ardhmen të mbushur me suksese.

“Unë e konsideroj Perezin si një baba i familjes dhe një njeri që në futboll ka arritur atë që askush s’ka arritur ta bënte. Ai po vazhdon ta mbajë një motivim mjaft të fortë sepse është tifozi i parë i këtij klubi. Është dhe ka qenë që kur ishte fëmijë dhe kjo ia mundëson ta shfaq dhe ta transmetojë dashurinë speciale për këtë fanellë. Ai e mban klubin në majat e futbollit botëror. Ajo që e ka bërë në 20 vjetët e fundit është mjaft e rëndësishme për Real Madridin, pikërisht çka kishte bërë Santiago Bernabeu në vitet e 50-ta”, deklaroi Ancelotti në kanalin zyrtar të klubit.

“Çfarë të ardhme do ta ketë skuadra? E kaluara është shkruar dhe ne jemi këtu për ta shkruar të tashmen. Mbi të gjitha Reali e ka një të ardhme me një skuadër mjaft të re dhe me lojtarë të talentit të madh. E ardhmja e këtij klubi do të jetë e suksesshme, siç ka qenë e shkuara dhe siç është e tashmja. Me gjeneratën e lojtarëve të rinj që i posedon, e ardhmja e Real Madridit do të jetë me suksese të mëdha”, përfundoi ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut, Napolit dhe i Evertonit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat