Pioli: Pashë disa gjëra të bukura në ndeshje

Futboll

Pioli: Pashë disa gjëra të bukura në ndeshje

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 12:21
Pioli

Milan e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme Serie A me kuqezinjtë që fituan në transfertë ndaj Bolognas me shifrat 0:2.

Loja e kuqezinjve ishte argëtuese, sidomos në fraksionin e parë aty ku u shënuan edhe dy golat e ndeshjes me autor Olivier Giroud dhe Christian Pulisic.

Blerjet e verës treguan se ishin në lartësinë e duhur ndërkohë që pas sfidës, trajneri Stefano Pioli i bëri elozhe të tijve. Tekniku i Milanit theksoi se Leao është një futbollist me fuqi të jashtëzakonshme ndërsa shtoi se Mike Maignan është një lider ashtu si ka qenë më parë Zlatan Ibrahimoviq.

Pashë disa gjëra të bukura në ndeshje, duhet të punojmë pak me ekuilibrin në fushë, por të rinjtë janë integruar shumë mirë. Jam i lumtur me merkaton që kanë bërë drejtuesit dhe kam bindjen se po formohet një grup shumë i bukur.

Të rinjtë po japin maksimumin për t’u integruar dhe për t’u mësuar me futbollin e ri që praktikojnë këtu te Milan. E di që do të na ndihmojnë shumë dhe do të jenë mjaft të rëndësishëm përgjatë sezonit. Pulisic është një “xhol”, por unë e shoh më shumë në të djathtë se sa në të majtë.

Giroud? Ai është një lider, shembull për të gjithë dhe është gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar skuadrën. Nuk është më edhe aq i ri, por unë jam shumë krenar që jam trajneri i tij.

Me Leaon flas çdo ditë, mundohem ta bëj të kuptoj se është një futbollist me fuqi të jashtëzakonshme dhe që cilësitë e tij duhet t’i vendosë në funksion të skuadrës. Me topin në zotërim kemi shumë kualitet, tani duhet të mësojmë të lëvizim edhe kur nuk e kemi topin në kontroll.

Lideri i ri tani që nuk është Zlatan? Ibra na mungon, por ai i ka rritur të gjithë këta futbollistë sa i takon mentalitetit. Ai që i afrohet më shumë Ibrës në aspektin e liderit është Maignan. Ka shumë karakter”, përfundoi Pioli..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat