Starova: Programi dhe kurset e Sektorit të Edukimit, formimi i trajnerëve po rrit cilësinë e futbollit

Futboll

Starova: Programi dhe kurset e Sektorit të Edukimit, formimi i trajnerëve po rrit cilësinë e futbollit

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 15:54
Trajnerët

Ky vit ka qenë mjaft intensiv për Federatën Shqiptare të Futbollit në drejtim të formimit të trajnerëve të rinj në të gjitha nivelet e licencave.

Një risi e rëndësishme është konfirmimi nga UEFA i programit për licencë C, që ka rritur interesin e shumë trajnerëve, të cilët kanë nxituar të marrin pjesë e të përfitojnë këtë titull mjaft të rëndësishëm në karrierën e trajningut. Për të shkuar më afër trajnerëve FSHF ka organizuar kurset në disa qytetet të vendit si në Shkodër, Korçë apo Fier.

Përveç kurseve për licencën UEFA C, janë zhvilluar njëkohësisht edhe kurset e radhës për licencat UEFA B, UEFA A dhe së shpejti do të organizohet dhe kursi për licencën e trajnerit UEFA Pro, që është edhe niveli më i lartë për një trajner futbollit.

Drejtori i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova në një prononcim për Fshf.org shpjegon të gjitha programet e organizuara nga FSHF në këtë vit si edhe risitë kryesore, që kanë sjellë rritje të numrit të trajnerëve profesionistë në të gjithë vendin, e veçanërisht në futbollin e bazës.

“Në harkun e një viti ne bëjmë të gjitha kurset e UEFA-s për licencat A, B dhe PRO, por kjo e fundit është e veçantë, sepse bëhet një herë në dy vite. Dhe të gjitha kurset që organizon FSHF, si kursi i përgatitësit atletik, kursi i video-analistit, kursi i Drejtorit Sportiv. Risi e këtij viti edhe aprovimi i licencës së trajnerit C nga UEFA, shumë i rëndësishëm për situatën ku ndodhet futbolli dhe futbollin e bazës.

Kërkesat ishin shumë të mëdha dhe kemi organizuar dy kurse për licencën UEFA C në Tiranë, një në Fier, në Shkodër, kemi mbaruar Korçën dhe në shtator planifikojmë të zhvillojmë edhe Elbasanin dhe ta mbyllim UEFA C-në për këtë vit. Kam bindjen që do të ndikojë në ecurinë e futbollit bazë ku kemi shumë nevojë.

Janë më shumë se 200 pjesëmarrës që kanë marrë tashmë licencën UEFA C, të cilët do punojnë në bazë me fëmijët dhe kemi pasur edhe përfaqësues të UEFA-s, që kanë ndjekur kursin dhe mbetën shumë të kënaqur”, – thotë Starova, duke theksuar se vlerësimet e marra nga UEFA kanë qenë pozitive dhe se zgjerimi i bazës së trajnerëve do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar.

“Impresionet që kemi marrë nga instruktorët ka qenë pozitiv. Shpresoj dhe kam bindjen që do të ndikojë në futbollin e bazës, ku kemi shumë nevojë.

Është në risi sepse është një bllok me katër javë nga tre ditë dhe gjithë stërvitja e detajuar, teori praktikë, aty ku kemi ne bazën, sepse sa më e madhe të jetë baza aq më lart shkon piramida. Llogarisni rreth 3 mijë futbollistë të vegjël që do të punojnë me këto 200 trajnerë.

Ne presim që sa më të gjerë ta kemi bazën e veprimit aq më tepër shkojmë drejt cilësisë tek ekipet Kombëtare. Sigurisht, kjo është edhe në interes të klubeve dhe akademive”, – vijon Drejtori i Sektorit të Edukimit.

Gjithashtu, Starova flet edhe për kurset e tjera që ka organizuar FSHF në këtë edicion, duke rritur ndjeshëm nivelin profesional të stafeve teknike dhe trajnerëve që punojnë me klubet shqiptare të futbollit.

“Risi tjetër e këtij edicioni ishte edhe aprovimi i kursit ‘UEFA Goalkeeper B’ për herë të parë, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm trajnerësh që janë pjesë e Superiores dhe Kategorisë së Parë me monitorimin e përfaqësuesve të UEFA-s dhe mbetëm të kënaqur nga vlerësimet që kemi marrë.

Presim të fillojmë me kursin e licencës UEFA Pro në shtator, me kursin e drejtorit sportiv e kështu me radhë.

Ne kemi vazhduar me traditën e Sektorit të Edukimit për të organizuar edhe kurset e FSHF-së siç është kursin për trajnerin e përgatitësit atletik, që shpresojmë që shumë shpejt të aprovohet edhe nga UEFA, si edhe kursin për drejtor sportiv apo kursi i skautit”, – theksoi ndër të tjera Drejtori i Sektorit të Edukimit në FSHF.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat