Çiro Bllazheviqi në tren nga Zurich për Lausanne, ishte befasuar nga shqiptari i Kosovës

Futboll

Çiro Bllazheviqi në tren nga Zurich për Lausanne, ishte befasuar nga shqiptari i Kosovës

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 9 shkurt 2023 Në ora: 18:29
Muharrem Maloku

Kur i kujtohet periudha e viteve 1997-1998, Muharrem Maloku, ndalet pak dhe merr frymë thellë, kujton një moment që gjithmonë do të ketë në kujtesë, takimin në tren me trajnerin e famshëm kroat, Mirosllav Çiro Bllazheviq!

Si rrodhi takimi mes Malokut dhe Bllazheviqit?

Maloku me prejardhje nga Stanoci i Epërm i Vushtrrisë, tani e një kohë jeton e vepron në St. Gallen të Zvicrës, në vitin 1997-1998, punonte si stjuard (shitës i produkteve ushqimore) në tren.

“Babai im, Ukshini, më ka folur shumë për Bllazheviqin. 

Ai dhe unë kemi qenë ithtarë të mëdhenj të trajnerit kroat.

E mbaj mend si fëmijë, kur kisha vetëm 12 vjeç, së bashku me babain shkonim në stadium për të shikuar Prishtinën, e cila garonte në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë.

Emocionet e atyre viteve nuk mund t’i përshkruaj me fjalë.

Babai me ka folur mirë për Çiron”, fillon rrëfimin Muharrem Maloku për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Rreziku ishte 99 për qind që Prishtina të zbriste në ligën e dytë.

Babai më ka treguar se fal Bllazheviqit ka shpëtuar Prishtina pa ra prej lige.

Sa kam lexuar, tre veta e kanë bindur Çiron me ardhur në krye të Prishtinës në vitin 1985.

Ata tre veta sa kam lexuar, janë argjendari Zef Gjoni; drejtori i klubit në atëkohë Xhevat Berisha, si dhe Mexhid Syla, anëtar i kryesisë.

Si mbret e kanë pritur Çiron. 

Babai im më ka treguar historinë e Çiros”, thotë Muharremi.

Çiro gjatë udhëtimit me tren nga Zurich për Lausanne, befasisht pyetet nga Muharremi. 

Çiro mbetet i habitur, një djalë i ri, 22 vjeç por nuk e kishte idenë që është nga Kosova.

 “Iu drejtova: A jeni ju Çiro Bllazheviqi? 

Ai ma ktheu: Po! 

Çiro, jam nga Kosova, jam ithtar i juaj.

Duke iu falënderuar juve Prishtina e ka siguruar mbetjen në elitë në edicionin 1984-1985.

Kjo i pëlqeu fort Çiros.

Ishte me familje. Më dha edhe vizitkartën.

Çiro më pyeti si stjuard, sa kushton ushqimi? 

I thash shkurt: ‘Nuk vjen në pyetje me pagu, këtë e keni si falënderim prej popullit të Kosovës.

Çiro u emocionua, duke me thënë fjalë interesante: ‘Unë kam jetuar në shumë vende të botës, kam takuar njerëz të ndryshëm, por sikur në Prishtinë që kam takuar, nuk kam takuar askund.

Janë shokë të vërtet, 24 orë janë në shërbim.

Një mendim i tij i jashtëzakonshëm ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Nuk e kam llogaritur se nderin që ia bëra në tren, i ka mbetur në shpirt, i ka lënë aq shumë mbresa Bllazheviqit, i cili në një intervistë për gazetarin Driton Latifi e ka përmendur edhe rastin tim.

Për të si duket, sipas mendimit tim, ka qenë vula se shqiptarët e Kosovës janë burra dhe mirënjohës të mëdhenj”, - ka përfunduar rrëfimin Muharremin. 

Analisti i futbollit, Driton Latifi, ka treguar dje detajet gjatë takimit me trajnerin e madh kroat, Mirosllav Çiro Bllazheviq, i cili të mërkurën me 8 shkurt ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.

"Gjatë intervistës me te ne Euro 2004 në Portugali, sa u prezantova se jam gazetar nga Kosova më mori afër vetes duke i urdhëruar tjerëve të më asistojnë çka do që më duhej… 

Në bisedë e sipër më tregoi një histori personale që tha kurr nuk do ta harroj në jetë”, ka shkruar Latifi.

“Isha duke udhëtuar me familje me tren në Zvicër dhe gjatë udhëtimit morëm diçka pije e gjëra të lehta ushqimore, kur mora të paguaj djaloshi që na shërbeu më drejtohet me fjalët: zotëri, a jeni ju Çiro Bllazheviq?

I thashë po, me një buzëqeshje.

Tha kur kam qenë i vogël babai më ka lënë amanet kurdo që të takosh këtë njeri i shërben me kujdes dhe e ndihmon pa asnjë para, se ky na ka ndihmuar shumë…

Përkundër insistimit tim dhe të familjes ishte e pamundur ta bindnim për pagesë.

Kosova ka popullatën më të mirë dhe më fisnike në botë.

Si në Prishtinë askund nuk e kam ndje dashurinë dhe afërsinë njerëzore.

Mi përshëndet të gjithë kur të kthehesh”, më kishte thënë Çiro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat