Procesi i licencimit për sezonin 2023-24

Futboll

Procesi i licencimit për sezonin 2023-24

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 11:57
Procesi i licencimit për sezonin 2023-24

Procesi i licensimit të klubeve për sezonin 2023-2024, si një nga elementet kryesore për të qenë pjesë e kompeticioneve të UEFA-s dhe FSHF-së, ka nisur prej disa javësh me Departamentin Ligjor dhe të Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit që ka zhvilluar takime dhe workshop-e me klubet aplikante.

Gjithashtu, ky departament ka organizuar edhe një trajnim me administratën e re të licensimit dhe komisioneve juridike të licensimit për t’u njohur me të gjithë elementët e këtij procesi, ndërsa i pranishëm në këto aktivitete ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.

Menaxheri i licensimit në FSHF, Eduard Gjini, ka shpjeguar për Fshf.org të gjitha hapat që po ndiqen dhe asistencën që Federata e Futbollit po i jep klubeve aplikante në mënyrë që të njihen me rregulloret e reja dhe plotësimin e duhur të të gjitha kritereve.

“Në kuadër të procesit të licencimit të klubeve për sezonin 2023-2024 Departamenti Ligjor dhe i Licensimit në FSHF ka organizuar dy takime. Njërin me administratën e re të licensimit të klubeve, ekspertë të kritereve dhe dy komisioneve juridike, konkretisht komisionin e shkallës së parë dhe komisionin e apelit, si edhe një workshop me të gjitha klubet që do të aplikojnë për të marrë një licencë qoftë për kompeticionet e UEFA-s, qoftë për kompeticionet e organizuara nga FSHF.

Në takimin e parë të klubeve u diskutua dhe u mor informacioni i duhur që klubet duhet të plotësojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të gjitha kriteret e licencimit në të gjitha kompeticionet. Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve demonstroi praktikisht mënyrat se si do të plotësohen aplikimet, qoftë online qoftë fizikisht të gjitha dosjet me dokumentacionet për të gjitha kriteret që janë kriteri sportiv, kriteri i infrastrukturës, kriterin e ri të përgjegjësisë sociale, kriterin ligjor, kriterin e administratës dhe personelit dhe për kriterin financiar”, – thotë Gjini, duke shtuar se rregulloret e reja të licencimit do të miratohen shumë shpejt, ndërsa ka folur edhe për procesin e licensimit të klubeve të vajzave, që synojnë të marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s.

“Të gjithë ekspertët e kritereve demonstruan përpara aplikantëve mënyrën se si duhen plotësuar këto dokumentacione që në fund të procesit të licensimit të gjitha klubet të marrin licencat për kompeticionet e UEFA-s dhe FSHF-së.

Në takimin me administratën e re të licensimit u bënë të njohur të gjithë elementët e duhur. Ne si departament kemi bërë një rregullore të re për licensimin e klubeve për të dyja kompeticionet, e kemi dorëzuar në UEFA dhe presim përgjigje përfundimtare për t’i kaluar për miratim në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së.

Gjithashtu është bërë edhe një rregullore e re për licensimin e klubeve të vajzave që do të marrin pjesë në kompeticionin Champions League, edhe kjo është në proces dhe klubet do ta marrin përfundimisht në dorë brenda muajit janar për të aplikuar më pas për pjesëmarrjen në sezonin tjetër 2023-2024”, – theksoi menaxheri i licensimit në FSHF.

Sakaq, ai bëri me dije edhe afatet e lënë për klubet, ndërsa theksoi se do të ketë edhe takime me presidentët e klubeve në muajin janar në mënyrë që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e këtij procesi.

“Procesi i licensimit të klubeve ka nisur në dhjetor, ndërkohë që kemi caktuar afatet e brendshme dhe përfundimtare. Për pesë kriteret e para afati i brendshëm për dorëzimin e dokumentacioneve si online ashtu edhe fizikisht, është lënë 31 janari si afat, ndërsa afati përfundimtar është data 28 shkurt. Kurse për pjesën e kriterit financiar afati është 31 mars sipas ligjeve të shtetit shqiptar.

Ne kemi programuar në muajin janar takime dypalëshe me presidentët e klubeve, ku do të marrë pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, në mënyrë që të ndërgjegjësojmë klubet për këtë proces shumë të rëndësishëm sepse sa më shumë t’i plotësojmë kriteret aq më mirë do të jenë klubet në të gjitha aspektet që nga administrata e deri te infrastruktura”, – deklaroi ndër të tjera Eduard Gjini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat