Serbëve iu dhemb atmosfera mes shqiptarëve dhe kroatëve, e thonë hapur se kujt i frikësohen dhe përmendin Çairin

Futboll

Serbëve iu dhemb atmosfera mes shqiptarëve dhe kroatëve, e thonë hapur se kujt i frikësohen dhe përmendin Çairin

Nga: Kemajl Goca Më: 20 korrik 2022 Në ora: 19:45
“Bad Blue Boys”

Përballja e mbrëmshme mes skuadrës së famshme kroate, Dinamo e Zagrebit dhe asaj shqiptare, Shkupi, u zhvillua me rivalitet të madh deri në sekondat e fundit, duke përfunduar me rezultat 2:2 në kuadër të ndeshjes së parë të rrethit të dytë kualifikues të Champipns League.

Tifozët e Dinamos “Bad Blue Boys” së bashku me ata të skuadrës shqiptare, krijuan atmosferë të bukur sportive.

Tifozët ashtu si iu ka hije përkrahën skuadrat e tyre, duke dëshmuar dashurinë që kanë për klubin por edhe respektin e ndërsjellë shqiptaro – kroat.

Një atmosferë e bukur dhe një festë në stadium mes shqiptarëve e kroatëve, iu pengon dhe iu dhemb serbëve.

Mediat në Serbi të njohura për zhurmë dhe gënjeshtra, vërsulen ndaj Dinamos së Zagrebit dhe skuadrës së Shkupit. 

Media “Kurir” ka llomotitur kundër kroatëve dhe shqiptarëve, që i dhemb atmosfera në “Maksimir”.           

“Nuk është më lajm që në stadiumet kroate brohoriten mesazhe skandaloze drejtuar popullit serb, siç ndodhi në ndeshjen mes Dinamos së Zagrebit dhe Shkupit të Maqedonisë së Veriut”, shkarravit media serbe. 

“Fatkeqësisht, tifozët e të dyja skuadrave tmerruan mbarë Evropën futbollistike me këngën e njohur nacionaliste “Vrite serbin”.

UEFA pritet të reagojë pas një sërë incidentesh në raundin e dytë të ndeshjeve kualifikuese të Champions League.
Mirëpo, fakti është se ajo jo gjithmonë i dënoi të gjitha shpërthimet e tifozëve kroatë, si dhe të atyre të tjerëve, objektivi i të cilëve ishin serbët.

“Bad Blue Boys” janë të njohur për publikun tonë si një nga grupet e tifozëve më famëkeq, identiteti i të cilit bazohet në urrejtjen ndaj popullit serb.

Nuk është ndryshe edhe me tifozët e Hajdukut nga Spliti, sidomos grupi tejet nacionalist “Torcida”.
Kësaj radhe në festën e huliganëve iu bashkuan tifozët e Shkupit.

Përkrahësit e flaktë në fjalë vijnë më së shumti nga radhët e popullit shqiptar në Maqedoni dhe më së shumti janë të vendosur në pjesën e Shkupit të quajtur Çair.

Sipas regjistrimit të fundit, shqiptarët përbëjnë shumicën në Çair me 57 për qind të popullsisë, maqedonasit përbëjnë 24 për qind, ndërsa ka edhe turq, romë dhe boshnjakë.

Pikërisht në qendër të asaj pjese të qytetit ndodhet monumenti i Skënderbeut.

Së fundmi, Komisioni Disiplinor i Bashkimit Evropian të Futbollit (UEFA) gjobiti Federatën e Futbollit të Serbisë për shkak të incidenteve në ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe Norvegjisë, që dy ndeshje të luajnë pa praninë e publikut, me faktin se ndeshja e parë e radhës, do të luhet para tribunave të zbrazura, ndërsa dënimi për të dytin është i kushtëzuar dhe do të aktivizohet nëse vepra përsëritet.

Sanksioni më i ashpër, i cili përfshin një gjobë prej 30 mijë eurosh, është vendosur për shkak të shpërthimeve raciste të tifozëve në ato ndeshje.

Federata e Futbollit të Serbisë u gjobit gjithashtu me 5000 euro për hyrjen e tifozëve në fushë dhe 8000 euro të tjera për faktin se tifozët përdorën lazer për të ndërhyrë te portierët kundërshtarë.

Portieri i kombëtares së Serbisë, Predrag Rajkoviç, është suspenduar me dy ndeshje zyrtare për fyerje ndaj arbitrave.
 

Do të shohim se çfarë dënimi do t'i shqiptohet klubit kroat për një shkelje padyshim të rëndë që përsëritet nga sezoni në sezon, nga ndeshja në ndeshje.

Në Kroaci, Dinamo e Zagrebit ka paguar vazhdimisht gjoba në UEFA për shkak të shpërthimeve raciste të tifozëve, por duket e pamjaftueshme, ndaj kësaj radhe pritet një dënim drakonian.

Megjithatë, nuk do të ishte e çuditshme nëse drejtuesit e Shtëpisë Ndërkombëtare të Futbollit do të heshtin.

Kujtojmë shumë mirë edhe kur tifozët e Shkendijës nga Tetova në Maqedoninë e Veriut, në një ndeshje, pas incidenteve në ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, nxorën një pankartë: "Ata (serbët) janë kanceri i Evropës, UEFA, a keni nevojë për më shumë?””, llomotit mes të tjera “Kurir”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat