Shulku: Dua të vlerësoj punën që po bëhet nga Sektori i Edukimit në FSHF

Futboll

Shulku: Dua të vlerësoj punën që po bëhet nga Sektori i Edukimit në FSHF

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 14:58
Shulku: Dua të vlerësoj punën që po bëhet nga Sektori i Edukimit në FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit ka përmbyllur edicionin e katërt të kursit për video-analistë futbolli, një profesion i ri në botën e futbollit, që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm e po tërheq interes të lartë. Ky kurs u zhvillua gjatë javës së parë të muajit maj nga Sektori i Edukimit dhe u drejtua nga video-analisti i Kombëtares, Alarico Rossi.

Në këtë edicion morën pjesë 23 kursantë, teksa në përfundim të provimeve u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit që kaluan edhe testin final.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Ylli Çekiçi si edhe Alban Tafaj nga Sektori i Edukimit në FSHF.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm, Shulku vlerësoi këtë kurs formimi dhe shprehu bindjen se shumë shpejt roli i video-analistit do të jetë mjaft i kërkuar pasi për klubet apo ekipet kombëtare është një figura e domosdoshme në staf.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me ju në këtë ceremoni diplomimi. Unë jam i bindur se ky kurs do t’ju shërbejë shumë që të jeni pjesë e rëndësishme e botës së futbollit përmes këtij profesioni.

Dua të vlerësoj punën që po bëhet nga Sektori i Edukimit në FSHF për rritjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të shumë profileve të reja që punojnë në botën e futbollit, gjë e cila do të rrisë dhe përafrojë futbollin shqiptar me atë ndërkombëtar dhe me standardet më të larta.

Ky është një profesion i ri dhe mbase në Shqipëri nuk është shumë popullor për momentin, por do ta shikoni se shumë shpejt do të bëhet një nga profesionet më të kërkuara në vend, sepse çdo klub do ta ketë shumë të domosdoshëm një video-analist në stafin e vet teknik.

Me eksperiencën që kemi të paktën në ekipet kombëtare, qoftë ato të moshave, të gjithë trajnerët janë shumë të kënaqur që kanë në staf një video-analist pasi i ndihmon shumë në leximin e statistikave dhe studimin e ndeshjeve. Ju uroj shumë suksese dhe shpresoj që të jeni sa më shpejt duke ushtruar këtë profesion, duke kontribuar kështu edhe në zhvillimin e futbollit shqiptar”, – tha Shulku.

Duke folur gjatë ceremonisë, Alarico Rossi deklaroi se ky kurs është një mundësi e mirë për të gjithë ata që punojnë në fushën e futbollit për të kuptuar se si mund të aplikohen teknologjitë e reja në futboll.

“Ndihem shumë krenar, sepse ne e kemi filluar nga zero këtë projekt dy vjet më parë me FSHF-në. Dëshiroj të falënderoj Presidentin Duka, Sekretarin e Përgjithshëm, Shulku dhe të gjithë stafin e federatës në angazhuar në bërjen të mundur të këtij projekti ambicioz që po jep rezultate mjaft të mira. Ky ishte kursi i katërt për video-analist futbolli, një profesion i ri që është bërë mjaft i rëndësishëm në përgatitjen e ndeshjeve, duke analizuar në detaje çdo aspekt.

Ky profesion ka të ardhme të madhe, pasi trajnerët po kërkojnë gjithmonë e më shumë video-analistët dhe tani ju jeni të gatshëm të bëheni pjesë e futbollit me këtë rol, që sa vjen e bëhet më i kërkuar në Shqipëri dhe jashtë vendit. Federata është duke ndihmuar të gjithë klubet në këtë drejtim. Në nivel ndërkombëtar ky profesion është shumë i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar nga trajneri”, tha Rossi.

Sipas Rossi-t, të investosh në edukimin e analistëve do te thotë të investosh në të tashmen e në të ardhmen e futbollit shqiptar dhe falë kësaj figure, jo vetëm trajnerët, por sidomos klubet do të kenë në dispozicion më shumë resurse dhe informacione për të marrë vendime të rëndësishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat