Kombëtarja rikthehet në Europianin e vendeve të vogla për vitin 2024

Basketboll

Kombëtarja rikthehet në Europianin e vendeve të vogla për vitin 2024

Më: 3 janar 2024 Në ora: 14:59
Pamje nga një ndeshje

Federata Shqiptare e Basketbollit, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka konfirmuar se në vitin 2024, Shqipëria do të marrë pjesë në Europianin për vendet e vogla me kombëtaren e femrave.

Ky turne do të zhvillohet në Prishtinë (Kosovë) më datat 25-30 qershor.

Kombëtarja e femrave rikthehet në këtë event ndërkombëtar pas disa vitesh mungesë. Shqipëria është përpjekur të lërë gjurmë vitet e fundit në fazat eliminatore të Europianit për të rritura, në disa edicione radhazi, por pa shumë sukses.

Duket se FSHB kërkon të rikthejë kombëtaren në nivelet ku ajo mund të konkurrojë, pasi në “Fiba European Championship Small Countries” luajnë kryesisht vendet e vogla si Andora, Qipro, Luksemburg etj.

Në turneun e vendeve të vogla kombëtarja e femrave ka bërë shpesh paraqitje të mira, madje edhe duke e fituar një herë në vitin 2006 (në Andora, kur mundi Islandën 84-79 në finale).

Ndërsa në dy raste është renditur e dyta (1996 dhe 2008, respektivisht në Malta dhe Luksemburg).

Pritet që këtë herë paraqitja të jetë më e mirë se në eliminatoret e Europianëve të viteve të fundit, teksa edhe mbështetja e tifozerisë nuk do të mungojë, pasi luhet në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat