Besëlidhja dhe Teuta presin rivalët e gjysmëfinaleve

Basketboll

Besëlidhja dhe Teuta presin rivalët e gjysmëfinaleve

Më: 20 prill 2024 Në ora: 14:44
Pamje nga ndeshja

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj do të zhvillojë sot dy ndeshjet e kthimit për raundin e parë të “play off”-it.

Sfida e parë do të nisë në orën 18:00, me Apoloninë që pret Tiranën në Fier. Bardheblutë kanë fituar minimalisht 84-83 aktin e parë në “Farie Hoti”, pas një sfide me shumë rivalitet, të vendosur vetëm në sekondat e fundit në favor të kryeqytetasve.

Tashmë kampionët në fuqi shkojnë në transfertë për të mbyllur llogaritë e kualifikimit për në gjysmëfinale. Nga ana tjetër Apolonia synon të përsërisë paraqitjen e mirë të bërë në ndeshjen e parë, por këtë herë të shoqëruar me rezultat pozitiv, në mënyrë që ta çojë serinë me ndeshje shtesë.

Takimi tjetër do të zhvillohet në orën 19:00 në palestrën “Halit Coka” të Bathores, aty ku Kamza vendëse pret Vllazninë. Kuqeblutë kanë dalë fitimtarë në raundin e parë me rezultatin 83- 77 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në një përballje shumë të luftuar, me Vllazninë që arriti ti përmbysë shifrat në periodën e katërt.

Në takimin e dytë Kamza do ketë avantazhin e fushës, por skuadrës së Eni Llazanit nuk i lejohet më asnjë hap fals, pasi do të përkthehej në eliminim nga kampionati.

Ndërkohë, Besëlidhja si vend i parë në sezonin e rregullt dhe Teuta si vend i dytë, kanë kaluar direkt në fazën gjysmëfinale. Lezhjanët, të cilët i kanë fituar deri më tani të gjitha ndeshjet në kampionat, do të presin në gjysmëfinale ekipin që do të kualifikohet nga çifti Tirana-Apolonia. Ndërsa durrsakët do të kenë përballë fituesin e duelit Vllaznia-Kamza, me sportin e koshit që tashmë po luan pjesën më të rëndësishme të sezonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat