Hajdari: Peja e ka publikun e mrekullueshëm, presim të fitojmë të dielën kundër Trepçës

Basketboll

Hajdari: Peja e ka publikun e mrekullueshëm, presim të fitojmë të dielën kundër Trepçës

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 12 maj 2023 Në ora: 17:24
Arti Hajdari

Secila finale është më drithëruese se tjetra, qoftë në Pejë qoftë në Mitrovicë.

Secila finale ka shikueshmëri rekord (mbi 3.000 veta), saqë nuk ka kapacitet për t’i pranuar të gjithë shikuesit as palestra e sporteve “Karagaçi” në Pejë as në “Minatori” në Mitrovicë.

Para secilës finale të play-off-it të Superligës së Kosovës, radhët janë të gjata të tifozëve për një biletë, për të pa finalen e madhe Trepça - Peja.

Image

Arti Hajdari

Finalja e katërt luhet të dielën (17.15) e fundjavës mes Pejës dhe Trepçës.

Mitrovicasit janë në epërsi në seri të fitoreve me rezultat 2:1 ndaj pejanëve.

Basketbollisti i Pejës, Arti Hajdari, prej më të mirëve në Superligë, shpreh optimizmin se do të triumfojnë në Pejë dhe në Mitrovicë të kërkojnë titullin e kampionit.

Emocionet janë të mëdha qoftë në taborin e pejanëve qoftë të mitrovicasve.

Pejanët janë të mobilizuar në të gjitha segmentet dhe të vetëdijshëm, se vetëm fitorja do t’i mbajë në garë fuqishëm për titull, ndryshe titulli do të shkojë në Mitrovicë. 

“Kemi humbur dy ndeshje dhe një e kemi fituar. 

Presim në lojën e katërt para publikut tonë që është i mrekullueshëm, të korrim sukses dhe të vendoset në ‘Minatori’ titulli kampion, në ndeshjen e pestë finale”, thotë Hajdari për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Hajdari premton 200 përqindshin në ndeshjen e katërt finale, që t’i gëzojnë mijëra tifozë të flaktë të Pejës e më gjerë. 

“Do të mundohemi me 200 për qind nga vetja që seria finale të mbyllet në Mitrovicë.

Dy ndeshje atje kemi humbur në fund që na ka lëshuar koncentrimi, mirëpo jemi te fokusuar të fitojmë të dielën e në ndeshjen e 5-të të hyjmë all in (të gjithë brenda)”, përfundon Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat