Top 5 ngjarjet e organizuara nga FBK

Basketboll

Top 5 ngjarjet e organizuara nga FBK

Më: 1 janar 2023 Në ora: 18:16
Top 5 ngjarjet e organizuara nga FBK

Viti 2022 ishte i ngjeshur me aktivitete nga Federata e Basketbollit e Kosovës. U organizuan shumë ngjarje vendore, por edhe evropiane, për çka FBK mori lëvdata për organizime.

Vizita e Andreas Zaglkis në Kosovë

Njeriu i parë i basketbollit në botë, Andreas Zagklis ka vizituar Kosovën më 6-7 tetor. Zagklis fillimisht ka vizituar Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku është takuar me drejtuesit e FBK-së, Arben Fetahun, kryetar i FBK-së dhe Elvira Dushkun, Sekretare e Përgjithshme.

Sekretari Gjeneral i FIBA Botës është njoftuar me stafin e FBK-së dhe ka parë nga afër zyrat se, ku punojnë dhe çfarë pune bëhet për basketbollin e Kosovës. Zagklis është shprehur shumë i kënaqur me pritjen që i është bërë.

Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis gjatë vizitës në Kosovë, së bashku me drejtuesit e FBK-së, janë takuar me krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe janë takuar me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, kurse takimi i fundit i Sekretarit Gjeneral të FIBA Botës, Andreas Zagklis në Kosovë ishte me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Zagklis ka theksuar se basketbolli, gjegjësisht FBK-ja ka nevojë për ndihmë institucionale për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë dhe duhet shikuar mënyra se si të përkrahen këto projekte, që janë shumë të rëndësishme dhe jetike për zhvillimin e basketbollit në Kosovë. Ai po ashtu ishte i pranishëm në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare në Mitrovicë ndërmjet Trepçës dhe Tiranës.

FIBA Kampionatin Evropian, Divizioni C në Prizren

Në Prizren nga 12 deri më 17 Korrik në Prizren u zhvillua FIBA Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj U16.

20 ndeshje të zhvilluara në mënyrë perfekte dëshmoi për organizimin e jashtëzakonshëm nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), që ka krijuar përvojë në organizimin e eventeve madhore ndërkombëtare.

Në këtë ngjarje morën pjesë tetë kombëtare, ku në fund triumfoi Andorra.

Drafti i JR NBA

Në shkurt me një ceremoni zyrtare është hedhur shorti për Junior NBA Kosova. 30 Shkolla Fillore të gjeneratës 11-14 vjeç janë ndarë në dy Konferenca, apo gjashtë Divizione. Hapjen e Draft Shortit, e ka bërë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.

Në Draft Short kanë marrë pjesë ish-basketbollisti i NBA-së, Jiri Welsch, ambasador i Junor NBA, dhe Adrian Carrion përgjegjës i Junior NBA Kosova. Më pas është bërë hedhja e shortit, ku 30 Shkolla Fillore janë ndarë në Divizione e Konferenca, varësisht nga regjionet që janë.

Final 8 i Kupës së Kosovës në Pejë

Nga 9 deri më 13 shkurt në Pejë u zhvillua final 8 i Kupës së Kosovës. Ky edicion iu kushtuar të ndjerit Agim Lluka, që ka dhënë shumë për basketbollin e Pejës.

Nga dita e parë e deri në finale janë zhvilluar ndeshje shumë interesante, ku kanë marrë pjesë tetë skuadrat e elitës, ndërsa në fund triumfoi Trepça nga Mitrovica.

Ky event u organizua nga KB Peja në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Final 4 i Femrave në Prishtinë dhe Superkupa Mbarëkombëtare në Mitrovicë

Për herë të parë është organizuar Final 4 i Ligës Unike në konkurrencën e femrave. Ky organizim u zhvillua në Prishtinë. Në “Final Four” kanë garuar Flamurtari i Vlorës (Shqipëri), Penza e Pejës, Prishtina dhe Bashkimi i Prizrenit. Pas shumë ndeshjeve interesante, në fund triumfoi Prishtina, që ishte organizatore. Vashat prishtinase fituan në edicionin e parë dhe historik të kësaj lige.

Superkupa Mbarëkombëtare në Mitrovicë

Kjo ishte hera e parë që kjo ngjarje u organizua në Kosovë. Eventi është mbajtur në Mitrovicë më 5 dhe 6 tetor, ku morën pjesë kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli, fituesja e Kupës së Kosovës, Trepça dhe Tirana si fituese e Kupës së Shqipërisë. Pas një super organizimi dhe super atmosfere, triumfoi skuadra vendase, Trepça, që në finale mundi Tiranën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat