Gjithçka gati për Maratonën ndërkombëtare! Sylejmani: Është ngjarja më e madhe në Kosovë

Atletika

Gjithçka gati për Maratonën ndërkombëtare! Sylejmani: Është ngjarja më e madhe në Kosovë

Nga: K. Goca Më: 23 shtator 2022 Në ora: 17:47
Pamje nga konferenca

Të dielën (pasnesër) do të mbahet ngjarja më e madhe në Kosovë, Gjysmë Maratona dhe Maratona ndërkombëtare. 

Është hera e parë në vitet e pasluftës që organizohet gara e dyfishtë, Gjysmë Maratona (21.0975 km) dhe Maratona (42.195 km), e cila pritet me kureshtje të madhe nga dashamirët e mbretëreshës së sporteve. 

Deri me tash janë paraqitur 524 garues nga shtetet e ndryshme. 

Sipas Fatlum Grajçevcit, gjithçka po shkon sipas planit sa i përket kësaj gare.      

Starti dhe caku për të gjitha vrapimet do të jetë para “Teatrit Kombëtar” të Prishtinës.

Vrapimi maratonë, Gjysmë Maratonë, 10 km dhe 5 km do të startojnë në ora 9:00.

Vrapimi Gjysmë Maratonë vazhdon Fushë Kosovë - Miradi e Poshtme -  në fshatin Lepi, në drejtim te Marigona Rezidencë dhe caku para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Këshilli Organizues i Maratonës “Prishtina 2022”,  presidenti i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, tha se është ngjarje e madhe dhe është me e veçantë se të tjerat për faktin se mbahet edhe Maratona edhe Gjysmë Maratona.

“Kemi filluar që nga viti 2001 maratona e parë ndërkombëtare, e cila ka qenë gjysmë maratonë, viti 2020 ka dështuar për shkak të pandemisë. Maratona në Prishtinë organizohet nga Federata Atletikës e Kosovës dhe Departamenti i Sporteve, përkatësisht Ministria për Kultur Rini dhe Sport”, tha Sylejmani.

Sipas tij, është ngjarja më e madhe dhe që do sjell edhe emocione në mesin e dashamirëve të këtij sporti. “Kjo është ngjarja më e madhe nga sporti në Kosovë. Kjo garë startin e ka te Teatri Kombëtar, ne kemi bërë të pamundurën ta organizojmë këtë garë për të treguar që në Kosovë organizohen edhe ngjarje të mëdha”, thotë Sylejmani. 

Hyzri Bunjaku, udhëheqës i sektorit të sportit në Komunën e Prishtinës, thotë se komuna gjithherë ka qenë në mbështetje të këtij organizimi, ndërsa Adrian Mazreku, përfaqësues i mediave, ka thënë se shpërblimi kryesor i kësaj maratone do të jetë 500 euro.

Shpërblimet për Maratonë: vendi i parë 500 euro, i dyti 400, i treti 300, i katërti 150, i pesti 120, i gjashti 100, i shtati 70 dhe i teti 50 euro.

Gjysmë Maratona, i pari 250 euro, i dyti 200, i treti 150, i katërti 100 dhe i pesti 50 euro.

Në maratonë merr pjesë edhe Bekim Murati i cili ka përvojë të madhe dhe sipas tij, deri me tash ka marrë pjesë në 86 maratona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat