Në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka zhvilluar një takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat, sipas saj, janë të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët.
Ajo ka nënvizuar se asgjë nuk i ndan dy shtetet, të cilat i bashkon e njëjta frymë dhe përkatësi kombëtare në të dy anët e kufirit.
Presidentja ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke theksuar se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të udhëhiqet nga afërsia dhe vullneti për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.
Në takim është diskutuar edhe për orientimin strategjik të të dyja vendeve. Shiroka Pula ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit.
Në këtë drejtim, ajo ka vlerësuar përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, koordinimit më të ngushtë dhe shkëmbimit të përvojave.
Shiroka Pula ka vlerësuar se marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të konkretizohen përmes bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Ajo ka bërë të ditur se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë duke u zbatuar.