Sot përfundon afati për njoftimin e apelimit të aktgjykimit dënues ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit të 16 shtatorit, duke i cilësuar dënimet e shqiptuara si të padrejta.
Përfundimi i këtij afati shënon nisjen e një faze tjetër të rëndësishme të procesit gjyqësor, ndërsa ende nuk dihet se sa kohë do të zgjasë shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Apelit.
Si zhvillohet procesi i apelimit?
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, fillimisht palët duhet të dorëzojnë njoftimin për apel, ku paraqiten arsyet për kundërshtimin e aktgjykimit ose të dënimit.
Brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel, kryegjykatësi ose gjykatësi raportues thërret një konferencë për të diskutuar çështjet që lidhen me procedurën e apelimit.
Palët kanë në dispozicion 60 ditë për dorëzimin e dosjes së apelit, ndërsa në rastet kur kundërshtohet vetëm dënimi, afati është 30 ditë.
Pas kësaj, vijojnë dorëzimi i përgjigjeve dhe kundërpërgjigjeve, në përputhje me afatet e përcaktuara në rregullore.
Po ashtu, procedurat mundësojnë paraqitjen e provave shtesë, ndërsa Paneli i Apelit mund të vendosë edhe për mbajtjen e një seance, nëse e konsideron të nevojshme.
Çfarë vendimesh mund të marrë Gjykata e Apelit?
Gjykata e Apelit ka disa mundësi për vendimmarrje. Ajo mund ta lërë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, ta shfuqizojë ose ta ndryshojë atë, si dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes.
Në rast se apelimi bëhet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë dënim më të rëndë sesa ai i shkallës së parë.
Sipas rregullave procedurale, aktgjykimi i Apelit duhet të shpallet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve, me mundësi të zgjatjes së arsyetuar të këtij afati deri në një muaj.
Apelimi mund të mbështetet në tri baza kryesore: gabimet juridike, gabimet faktike që kanë shkaktuar dështimin e drejtësisë dhe gabimet në përcaktimin e dënimit.
Ndërkaq, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, palët mund të ndjekin edhe rrugë të tjera juridike pranë Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, në përputhje me kushtet ligjore përkatëse.