Presidentja Shiroka Pula në Ditën e Forcës: Do të vazhdojmë ta ndërtojmë një ushtri moderne dhe profesionale

Aktuale

Presidentja Shiroka Pula në Ditën e Forcës: Do të vazhdojmë ta ndërtojmë një ushtri moderne dhe profesionale

Nga: A.M. Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 09:14
Presidentja e Republikës së Kosovës, Shiroka Pula

Presidentja e Republikës së Kosovës, Shiroka Pula, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 27 Nëntorit – Ditës së Forcës, duke shprehur mirënjohje për të gjithë burrat dhe gratë që shërbejnë në uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në mesazhin e saj, ajo ka theksuar se pjesëtarët e FSK-së i shërbejnë mbrojtjes së lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, ndërsa ushtrinë e ka cilësuar si mishërim të aspiratës së brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt, transmeton "Bota sot".

Presidentja ka rikujtuar se FSK-ja është ndërtuar mbi sakrificën e popullit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si dëshmi të vendosmërisë për të mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë.

Mesazhi i Presidentes Shiroka Pula për Ditën e Forcës

Në Ditën e Forcës, nderojmë me krenari dhe mirënjohje të gjithë burrat dhe gratë në uniformën e FSK-së, të cilët i shërbejnë mbrojtjes së lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë.

Ushtria jonë mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt. E ndërtuar mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo dëshmon vendosmërinë tonë për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë.

Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, mbetem e palëkundur në përkushtimin tim për forcimin e ushtrisë sonë, avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.

Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në këtë ditë, përulemi me nderim të thellë para Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Sakrifica e tyre mbetet burim i përhershëm frymëzimi dhe përgjegjësie për secilin prej nesh.

Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët.

Urime 27 Nëntori – Dita e Forcës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat