Nesër seancë e jashtëzakonshme, Kosova optimiste për Këshill të Evropës

Aktuale

Nesër seancë e jashtëzakonshme, Kosova optimiste për Këshill të Evropës

Më: 26 mars 2024 Në ora: 19:58
Këshilli i Evropës

Të mërkurën nga ora 14:30 në Paris mbahet seanca e jashtëzakonshme e cila Republikës së Kosovës mund t’ia hapë përfundimisht rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, i Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Evropës ka 85 shtete anëtare.

Varësisht nga numri i pjesëmarrësve, për votim duhet shumica e thjeshtë apo 50% e votave.

Delegatët në duar do ta kenë raportin 26 faqësh të raportueses, Dora Bakoyannis, i cili i rekomandon Këshillit të Ministrave pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Nga Ministria e Jashtme janë optimist se nga kjo seancë do të vijnë lajme të mira.

Për të ardhur në këtë pikë është dashur të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit dhe jo vetëm.

Raportuesja Bakoyannis ka pranuar edhe një letër nga krerët e shtetit, Osmani, Konjufca dhe Kurti, të cilët ndër të tjera janë zotuar se i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit sa më shpejt që është e mundshme.

Kjo letër sipas zëvendësministrit, Kreshnik Ahmeti, është procedurale dhe nuk nënkupton parakushte.

“Ajo ka të bëjë siç do ta shohin të gjithë kur të bëhet raporti publik, me marrëveshjen e Brukselit të 27 prilli dhe neneve të saj, me marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit ku përfshihet edhe çështja e asociacionit por jo ekzluzivisht siç është paraqitur në media me asociacionin e aq më pak si parakusht. Asambleja parlamentare thotë se më nuk ka kushte para anëtarësimit për Kosovën”, tha Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

Ahmeti beson se faza e parë do të përfundojë para 18-19 prillit kur do të duhet që të votohej në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Këtu duhen 2/3 e votave, nga 320 delegatë nga 46 shtete.  Pas këtij niveli hapi i fundit është Komiteti i Ministrave, ku prapë duhen 2/3 e votave. Edhe për këtë periudhë, Ahmeti thotë se po lobojnë, por nuk mund të thonë se gjithçka është e garantuar sepse varet nga vullneti i shteteve anëtare.

“Dhe në rastin më të mirë Kosova do të bëhet anëtare në maj të këtij viti, pra përgjatë Ministerialit, miniterialet e rregullta mbahen një herë në vit, ato mund të thirren edhe të jashtëzakonshme, përbrenda kësaj periudhe”, shtoi Ahmeti.

Përkundër që vlerëson se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është lajm shumë pozitiv, politologu, Shkodran Ramadani, vlerëson se kostoja e ngarkuar për Kosovës është shumë e lartë.

“Në këtë kuptim Kosova ka marrë edhe një obligim shtesë për ta themeluar Asociacionin. Tashmë përveç faktit që asociacioni gjendet në Marrëveshjen e Ohrit, dhe në aneksin e zbatimit Kosova e ka marrë edhe një obligim tjetër, dhe po e bënë gjithnjë e më të pashmangshme, mundësinë e mos-themelimit.”, u shpreh Shkodran Ramadani, Politolog.

Kushtet për anëtarësim sipas Ramadanit kanë qenë të ditura edhe më herët, por partia në pushtet e ka keqpërdorur dhe ka manipuluar duke i kundërshtuar ato sa ishte në opozitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat