Zyrtari amerikan deklarohet pas takimit me Osmanin: SHBA është këtu për t’ju mbështetur

Aktuale

Zyrtari amerikan deklarohet pas takimit me Osmanin: SHBA është këtu për t’ju mbështetur

Më: 21 mars 2024 Në ora: 07:09 Përditësuar në ora: 11:29 më 21.03.2024
Todd D. Robinson dhe Vjosa Osmani

Osmani, zyrtarit amerikan: Kosova mbetet e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin me SHBA-në, është i domosdoshëm

Presidentja Vjosa Osmani foli për rezultatet e bashkëpunimit me SHBA-në në një konferencë për media pas takimit me Ndihmës Sekretarin amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Osmani tha se në disa nga sukseset më të rëndësishme në Kosovë ka dorë Byroja që e udhëheq zyrtari i lartë amerikan që erdhi për vizitë në Kosovë.

“Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byrosë që e udhëheq Ndihmës Sekretari Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95% të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo tha se Ndihmës Sekretarit i ka treguar edhe për synimin e vendit për t’u anëtarësuar në INTERPOl, gjë që tha se “do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“I nderuar Ndihmës Sekretar Robinson, Kosova vazhdon të mbetet e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin me partnerët tanë më të çmuar, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veçanti byroja që ju udhëheqni. Uroj që të vazhdojmë t’i shohim rezultatet e partneritetit tonë dhe punës sonë të përbashkët ditë pas dite, e gjithnjë në drejtim të sukseseve të reja. Ju faleminderit për përkrahjen e palëkundur dhe gjithmonë shiheni Kosovën si shtëpinë tuaj të dytë”, i tha Osmani në konferencë Ndihmës Sekretarit amerikan.

Presidentja tha paraprakisht se “mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të shtetndërtimit tonë”.

“E në këtë drejtim, edhe mbështetja që kemi pranuar nga Byroja që udhëheq Ndihmës Sekretari Robinson shquhet për kohëzgjatjen, dinamikën si dhe shumëllojshmërinë e asistencës, përmes së cilës janë themeluar e fuqizuar mekanizmat tanë kryesorë për sundimin e ligjit në Kosovë. Ndihmës Sekretari Robinson ka qenë natyrisht ndër njerëzit që ka dhënë këtë kontribut gjatë viteve. Përderisa vinim këtu, më tregonte edhe se si ka punuar me Sekretaren Albright dhe kjo është një dëshmi se sa shumë njerëz ka edhe sot në administratën amerikane që kanë dhënë kontribut për dekada të tëra që Kosova të jetë këtu ku është sot. E natyrishëm ndër ta është edhe vetë ambasadori Hovenier”, tha Osmani.

Ajo kujtoi se “Kosova u detyrua që të filllonte nga zeroja”, dhe se me ndihmën e SHBA-së arriti suksese të mëdha, ndërsa përmendi edhe sundimin e ligjit, që tha se është prioritet i institucioneve.

“Këto suksese janë të gjitha edhe dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me partnerë, janë rezultat i bashkëpunimit tonë me partnerë të rëndësishëm, siç është Byroja, e natyrisht dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.

Robinson: SHBA është këtu për t’ju mbështetur, po punojmë për një Kosovë më transparente

Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson, në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se SHBA është në Kosovë për të ndihmuar e mbështetur.

“Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për atë që shërbimet e sigurisë po bëjnë, për qytetarët e rëndomtë kosovarë, mendoj se me të vërtetë është e rëndësishme. Porosia ime për ta dhe për ju të gjithë do të ishte që Shtetet e Bashkuara janë këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen. S’është hera e parë që jam në rajon, kam punuar edhe në rajon më herët. Po më duket sikur jam kthyer në shtëpi dhe mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj”.

Ai tha se do të vazhdojë të takojë edhe “kolegët nga Qeveria dhe gjyqësori”.

Robinson tha se në takim me Osmanin foli për çështje të rëndësishme “për të cilat kemi diskutuar që një kohë të gjatë”.

Osmani: Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezente në çdo hap të shtetndërtimit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë prezentë në çdo hap të shtetndërtimit të Kosovës. Për këtë, ajo pati edhe falënderime.

Në konferencën e përbashkët me Ndihmëssekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson, e para e konsideron si të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në organizatën Ndërkombëtare e Policisë Kriminale INTERPOL.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA. Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezentë në çdo sektor dhe çdo hap të shtetndërtimit tonë. Ndihmësi sekretari ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë këtë kontribut për gjatë viteve. Siç e dini Kosova u detyrua që të fillonte nga zero me ju dhe ndihmën tuaj kemi arritur të sjellin programe të cilat kanë qenë vendimtare në projektet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikeve, krimit të organizuar dhe forcim të ligjit. Këto suksese janë dëshmi e bashkëpunimit më partnerë. Disa nga arritjet e kanë vulën e Byrosë që udhësh ndihmës sekretari duke përfshirë edhe themelimin e Policisë së Kosovës, po ashtu edhe Agjencisë Kosovarë të Forenzikës, Inspektoratit të Policisë…”, ka thënë ajo.

Robinson në Presidencë, takohet me Osmanin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson.

Pas këtij takimi, Robinson e Osmani do të mbajnë konferencë për media.

Presidentja Osmani sot do të takojë zyrtarin e lartë amerikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot pret në takim Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson.

Ndryshe siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, Robinson do të takohet me presidenten si dhe partnerët e INL-së në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.

Robinson, dje ka arritur për një vizitë në Kosovë. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Robinson me të arritur është ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin e bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.

“Mirë se erdhe në Kosovë Ndihmës Sekretar Robinson!. Rrugës për në Kosovë, Ndihmës Sekretari i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) i Departamentit amerikan të Shtetit, Todd Robinson, u ndal në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin jetik të bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit transnacional”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat