Bëhen të ditur emrat e 14 sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian

Sporti

Bëhen të ditur emrat e 14 sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian

Më: 7 qershor 2017 Në ora: 14:28
Garuesit

Komiteti Olimpik i Kosovës ka kompletuar emrat e 14 sportistëve të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik për të rinj “Gyor 2017”, që mbahet në Hungari, prej 23-29 korrik 2017. Me më shumë garues do të përfaqësohen: atletika, noti dhe xhudo, me nga katër sosh, kurse tenisi me dy. Federata e Atletikës e Kosovës ka përzgjedhur: Gentiana Peci (disiplina: 3000 metra), Valentina Kelmendi (800m), Alaudin Suma (hedhje e diskut) dhe Arian Smajli (3000 metra), të cilët u shquan me suksese në Kampionatin Kombëtar të të rinjëve të mbajtur në Elbasan vitin e kaluar dhe në Mitingun e hapur të mbajtur këtë vit në Mitrovicë dhe Shkup. Nga noti janë: Ardit Hysejni (50m shpinë), Dion Kadriu (100m krol), Dren Ukimeraj (50m krol) dhe Muhamed Rushiti (50m delfin), të cilët kanë treguar suksese në disiplinat: 50 metra shpinë, 100 metra krol, dhe 50 metra delfin.

Rrugën e Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit, Nora e Akil Gjakovës, synojnë ta ndjekin edhe xhudistët e rinj, Laura Fazliu, Arbër Kullashi, Selim Berisha e Shpati Zekaj, të cilët dallohen për rezultate të mira në Kupën Evropiane për kadetë në Kroaci dhe Kampionatin e Kosovës 2016 për kadetë. Tenisi përfaqësohet me garuesit: Blearta Ukëhaxhaj, tenistja e vitit 2015 dhe 2016 dhe Diell Mehmedi, i cili për dy vite radhazi zuri vendin e parë në Kosovë. Me të gjithë sportistët për në Gyor do të udhëtojnë edhe trajnerët e tyre: Xhavit Tahiri (atletikë), Ardian Hamiti (not), Argjend Lecaj (tenis) dhe Fatos Tabaku e Korab Morina (xhudo). Paraprakisht, Komiteti Olimpik i Kosovës do t’i dërgojë sportistët në kampe stërvitore, me qëllim të përgatitjes dhe prezantimit sa më të mirë të këtyre sportistëve. Të gjithë emrat e lartpërmendur të sportistëve, janë propozuar nga Federatat përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat