Cila është gjendja e infrastrukturës sportive në qitje?

Sporti

Cila është gjendja e infrastrukturës sportive në qitje?

Nga: Valbona Tuci Më: 13 dhjetor 2016 Në ora: 16:22
Valbona Tuci

Debate

Infrastruktura sportive në Shqipëri nuk është në nivelet e vendeve ndërkombëtare, ka shumë mangësi, por duhet të theksoj që kanë filluar t’i përmirësojnë disi kushtet, dhe mendoj që do jenë dhe më mirë por normalisht duhet investim. Kryeqyteti shqiptar meriton një infrastrukturë të standardeve evropiane, me përmirësimin e saj do të kemi edhe rezultate edhe më pozitive në qitje. Jo vetëm Tirana, por edhe bashkitë tjera kanë qitëse të mira dhe me kushte më normale mund të arrijnë në suksesin që pretendojnë. Duhet një investim në ndërrimin e  materialeve sportive që nevojiten, me pajisje me moderne dhe jo primitive siç kemi ne. Pajisjet e sotme janë neveritëse, mund ti quaja edhe primitive, pasi që me pak investim mund të sigurohen ato më të mira dhe poligonin ta shndërrojmë në një fytyrë vërtetë si duhet dhe i ka hije dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Sporti i qitjes do investim, jo të kemi materialin e dobët ose si është në vitet e fundit në Tiranë, shumë herë mungon edhe motivi garues, kur shikon gjendjen se si ndodhet. Një fakt motivues është se talente ka, kanë ardhur te rinj por duhet mbështetje. Pa kushte, pa infrastrukturë, talentet nuk mund ta kenë zemrën motivuese për të garuar. Këtë problem nuk e ka vetëm Tirana, e ka edhe Prishtina. Edhe në Prishtinë, me sa jam e informuar, poligonin sportiv nuk e kanë në nivelin e duhur, janë në kushte mjerimi dhe kjo po dikton edhe cilësinë. Ne qitëset nuk duhet të mendojmë për infrastrukturë, por që mjerisht po mendojmë, se aty po stërvitemi, po garojmë. Në vend që të mendojmë për gara, për fitore e suksese, ne lodhemi mendjen vetëm se si të krijohen kushtet e mira.  Disa herë kemi bashkë-komunikuar me qitëset nga Kosova se sa e rëndësishme do të ishte të organizohen garat në nivel ndërshtetëror, Shqipëri-Kosovë. Kjo do të rriste edhe nivelin, do ta shtonte rivalitetin dhe do të nxirrnim edhe shumë talente të reja.

Ne bëjmë gara me shenjëtaret nga Kosova, por normalisht duhet edhe më shumë, sepse kjo sjellë me shumë impenjim ndaj këtij sporti, rritje konkurrence dhe rritje në nivel. Pse mos të veprojmë se shpejti në këtë drejtim? Pse mos të kemi gara të këtij niveli, që do të krijonte të gjitha parakushtet për të bërë edhe më shumë në cilësi, por ajo që po na mundon të gjithëve – standardi i dobët që po ballafaqohen garueset. Stërvitemi në kushte mjerimi, pa pajisje, por lutemi që një ditë qoftë Tirana qoftë Prishtina, të pajisë poligonin me kushte që i kërkon nevoja në poligonin sportiv.

Autorja është qitëse e Studenti nga Tirana

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat