Skënderbeu, në rrugën e duhur

Sporti

Skënderbeu, në rrugën e duhur

Më: 20 shtator 2016 Në ora: 23:39
Skënderbeu

Jashtë fushe debatet janë nga më të ndryshmet, por brenda saj Skënderbeu është duke marrë maksimumin edhe në këtë sezon të ri. Kampionët janë e vetmja skuadër që gëzojnë rekordin perfekt pas 3 javëve të para, 9 pikë, si dhe golavarazhin më të mirë, +4 me 5 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar. Duket si një detyrë shtëpie për një emër që qëndron prej 6 vitesh në fronin e futbollit shqiptar, por në fakt misioni nuk është aq i lehtë sa duket në një vit tranzicioni. Largimi i Josës, timonierit të titujve të fundit, me mbërritjen e Agostinellit në krye të skuadrës, si dhe ndryshimet e rëndësishme në gjirin e saj padyshim që i kanë bërë rivalët të fërkojnë duart duke shpresuar një Skënderbe me oshilacione, por skuadra korcare nuk ka ditur të ndalet.

Është normale që ingranazhet e lojës me një Shkëmbi, Arapi apo Progni më pak, (pa harruar largimet e Olyainkes dhe Berishës në janar), dhe mbi të gjitha një trajner të ri duan më tepër kohë për të gjetur funksionimin perfekt, por ky Skënderbe është më cinik, arrin të shënojë dhe të marë me vete tre pikët edhe pa dominimin total, dhe rezultatet në këtë moment janë padyshim gjëja më e rëndësishme për Agostinellin. Misioni titull mbetet padyshim i vështirë me konkurentët e tjerë që janë përforcuar dhe rrugëtimi drejt trofeut të 7 radhazi është padyshim i gjatë dhe i komplikuar, por Skënderbeu edhe pse pa shumë bujë me debatet lidhur me dënimin e UEFA-s që kanë eklipsuar në një farë mënyrë ato për skuadrën në fushë vazhdon të kryesojë dhe të ecë në rrugën e duhur duke kërkuar që tani shkëputjen nga rivalët. Java e katërt ofron si kundërshtar debutuesit e Luftëtarit, një sfidë me obligimin për t’u fituar, për të parë më pas të qetë derbin e kryeqytetit, me shumë mundësi, duke bërë tifo për Tiranën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat