Xhaka e Tarashaj të pasigurtë për ndryshimin e kombëtares, Behrami 1000 për qind i sigurt

Sporti

Xhaka e Tarashaj të pasigurtë për ndryshimin e kombëtares, Behrami 1000 për qind i sigurt

Nga: Fitim Dika Më: 4 maj 2016 Në ora: 15:08

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe Shani Tarashaj janë bërë temë diskutuese për Zvicrën dhe tansferimin e mundshëm të tyre në Kosovë. Por çfarë kanë thënë vetë protagonistët mbi këtë ndryshim të kombëtareve, ua sjell ekskluzivisht botasot.info.

Behrami do qëndrojë “1000 përqind në Zvicër”

Lojtari që përfaqëson Zvicrën prej 2005 në 64 ndeshje ndërkombëtare e ka qartësuar i pari se 1000 përqind do qëndrojë në Zvicër. Ai shihet nga mediat zvicerane si pasqyrë edhe për shumë lojtarë shqiptaro-zviceranë dhe mund të ndikojë në vendimin e tij. Djali i Mitrovicës ka potencuar se “edhe Tarashaj, Xhaka e Shaqiri nuk do e ndryshojnë kombëtaren, pasi janë rritur dhe shkolluar këtu.” Megjithatë për bashkëkombasit ai nuk tha se është i bindur. Sa i takon financimit të shkollave të futbollit në Kosovë, Valon Behrami është shprehur i gatshëm të ndihmojë maksimalisht.

Tarashaj, jam rritur në Zvicër

Prej marsit Tarashaj është lojtari i katër i kombëtares zvicerane nga Kosova. “Unë kam rrënjët në Kosovë. Por unë kam kaluar gjithë shkollimin junior me Zvicrën,” tha Tarashaj, duke u treguar edhe diplomat në shmangien e përgjigjes konkrete.

Xhaka, më leni të qetë në këto momente

Nuk i është shmangur komentit edhe Xhaka. “Natyrisht që edhe unë kam qenë pjesë e diskusionit. Por unë nuk dua të përfshihem në këtë temë momentalisht,” tha Xhaka. Edhe ish futbollisti zviceran me rrënjë turke, Kubi, u ka bërë thirrje shqiptaro-zviceranëve që të vendosin për kombëtaren përpara Euro 2016.

Federata Zvicerane e Futbollit “nuk ka dashur të komentojë” për rastin e pranimit të Kosovës në UEFA dhe si anëtare e 210 e FIFA, javën e ardhshme.

Vetëm një gjë është e qartë: Zvicra duket më premtuese në këto momente sesa Kosova. Në 12 vitet e fundit Zvicra ka munguar vetëm në një kompeticion ndërkombëtar të futbollit. Por në anën tjetër Kosova mund të shkruajë historinë së shpejti./Bota sot



Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat