Kastrioti merr kryesimin në Grupin A, shkëputet Luftëtari

Sporti

Kastrioti merr kryesimin në Grupin A, shkëputet Luftëtari

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 08:03

Kategoria e Parë zhvillloi ndeshjet e javës së 10-të që konfirmuan pretendentët për ngjitjen në Superiore. Kështu në Grupin A, Erzeni i Shijakut dështoi të merrte pikë ndaj një rivali direkt si Kastrioti, që triumfoi me rezultatin 2-3 në sfidën e luajtur në kompleksin internacional në Pezë Helmës. Formacioni i Elvis Plorit rrezikoi shumë në minutat e fundit, pasi shijakasit nga 0-3 i cuan shifrat në 2-3 falë finalizimeve të Xhemalajt dhe Rezit, megjithatë Kastrioti u kthye në Krujë me tri pikë, duke marrë edhe kryesimin e Grupit A, pasi Besëlidhja u mposht 2-0 nga Korabi.

Një fitore të pastër 3-0 koleksionoi edhe Besa ndaj Mamurrasit, Burreli Kamza përfundoi në barazim 1-1 ndërsa Iliria mposhti me shifrat tenistike 6-1 Adën e Velipojës.

Në Grupin A kryeson Kastrioti më 23 pikë, duke zhvendosur në vendin e dytë Besëlidhjen që ka grumbulluar një pikë më pak në 10 javët e para. Më poshtë renditen Korabi, Erzeni dhe Besa, ndërsa mbyll tabelën Mamurrasi me vetëm 3 pikë.

Në Grupin B nuk ndalet Luftëtari, që kaloi 2-1 në Gjirokastër Dinamon. Pogradeci dështoi të merrte pikë në shtëpi ndaj një rivali direkt si Apolonia që triumfoi 1-2, ndërsa Shkumbini mposhti 4-3 Sopotin. Përfundoi në barazim 1-1 Lushnja – Elbasani, sikurse Turbina dhe Butrinti ndanë nga një pikë në një sfidë që u mbyll me rezultatin 2-2.

Në këtë grup Luftëtari ngjitet në kuotën e 26 pikëve duke krijuar një distancë më të ndjeshme me Pogradecin e vendin të dytë, më pas renditen Apolonia dhe Lushnja. Mbyll klasifikimin Elbasani me vetëm 5 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat