Sigal Prishtina e pafat, humb ndeshjen dramatike në Europe Cup

Sporti

Sigal Prishtina e pafat, humb ndeshjen dramatike në Europe Cup

Nga: Kemajl Goca Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 15:48

Sigal Prishtina ishte shumë afër qëllimit, të kthehet me fitore nga Astana, në ndeshjen e xhiros së pestë të grupit K të FIBA Europe Cup në basketboll. Astana shënoi fitore me rezultat 82:78 (17:19, 28:18, 14:22, 23:19) ndaj bardhekaltërve.

Kampioni i Ligës Ballkanike dhe i Kosovës, pa dyshim se ka qenë i pafat, e cila tregoi lojë të madhe dhe rezultati ka qenë i ngushtë deri në fund. Një përballje e fortë, me plotë emocione edhe për shikuesit e pranishëm në Astana, por është mëkat që ekipi nga kryeqyteti nuk u kthye me fitore, sepse në bazë të asaj që ka treguar në fushë ishte shumë afër qëllimit. Çereku i parë ishte shumë i fortë dhe më ndërrime të shpeshta të rezultatit.

Astana ishte në epërsi me një pikë (12:11) në minutën e 5-të. Prishtina me një mbrojtje të fortë kaloi në epërsi me një pikë (15:16) në minutën e 9-të, pas dy minutave e ka thelluar edhe në katër pikë (17:21). Basketbollistët angazhohen me mish e më shpirt, por Astana sërish në epërsi (22:21 në minutën e 12-të) dhe prapë Prishtina avancon (24:25 në minutën e 13-të). Basketbollisti Mohamed Abukar ishte prej më të dalluarve në dy çerekët e parë, kur edhe ngriti epërsinë në pesë pikë (28:33) në favor të Prishtinës në minutën e 15-të.

Vendasit assesi të dorëzohen, barazojnë rezultatin 33:33 në minutën e 17-të dhe për të shkuar në pushim me rezultat 45:37 në favor të tyre. Pjesa e dytë ka qenë dinamike e dramatike deri në sekondat e fundit. Prishtina në minutën e 27-të ngushton rezultatin në një pikë (56:55), pastaj edhe kaloi në epërsi (56:57) dhe në minutën e 30-të rezultati baras (59:59). Çerekun e katërt për bukuri e nisi Prishtina, duke avancuar me tri pikë (59:62), por disa gabime i kushtuan dhe i dhanë mundësi Astanës të rikthehet në rezultat dhe ta ngrit epërsinë në shtatë pikë (73:66 në minutën e 36-të).

Dy minuta pa përfunduar takimi ngushtohet rezultati në 75:73, por Astana ishte më e shkathët në fund, përfitoi nga gabimet e bardhekaltërve dhe triumfoi me rezultat 82:78. Prishtina dhe Astana ndajnë vendin e tretë dhe të katërt me nga 7 pikë. Berisha me 26 pikë dhe Abukar me 25 sosh ishin më efikasit te Prishtina, ndërsa Caner-Medley me 25 pikë dhe Calathes me 22 sosh ishin më të mirët te Astana. Prishtina në xhiron e fundit (me 2 dhjetor) e pret AEK Larnaca nga Qiproja.

Astana-Sigal Prishtina 82:78
Palestra e sportit, Astana.
Shikues: 1000.
Astana: Johnson 5, Hayes 15, Ilin 5, Murzagaliyev, Ponomarev 4, Calathes 22, Yargaliyev 2, Zhigulin, Zhukanenko 4, Caner-Medley 25, Kolesnikov, Kemp.
Sigal Prishtina: Kaçaniku 1, Azemi 2, Berisha 26, Sinani, Marinov, Washburn, Morina 4, Abukar 25, K. El-Amin 11, Mazreku 9.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat