Gjashtë gabimet kuqezi në Shqipëri-Serbi

Sporti

Gjashtë gabimet kuqezi në Shqipëri-Serbi

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 10:24

Cili ishte fajtori në Shqipëri-Serbi? Po me Portugalinë? Trajneri apo lojtarët? Sigurisht që fati nuk ka të bëjë me këtë ndeshje. As ngarkesa psikologjike. As edhe tifozët. Ne ishim në luksin dhe të kishim në dorë dy nga tre rezultatet, por nuk ia dolëm. Me gabime të njëjta, sërish dështuam dhe rrezikojmë të prishim një punë të ndërtuar në mënyrë perfekte deri më 4 shtator me plot mund. Por cilat ishin gabimet dhe i kujt është faji? Lorik Cana si kapiteni ka mbajtur mbi shpatulla përgjegjësinë kryesore mbi shpatulla. Gjithsesi, tani është radha për të analizuar atë që ka ndodhur në këto eliminatore dhe jo vetëm.....

Gabimi i parë – Normalisht që si çdo trajner tjetër edhe Xhani De Biazi ka huqet e tij. Për ata që nuk e njohin nga afër, nuk ia kuptojnë lëvizjet. Ndërsa për të tjerët, lëvizjet e tij janë më se të kuptueshme. De Biazi ka një zakon të paprekshëm. Formacionin e paracakton që në shtëpi, dhe nuk ka njeri që t’i ndryshojë mendjen atij njeriu. Stabiliteti skarco i formacionit, është prezent gjithmonë në ekipin e tij. Plot pesë lëvizje në fushë që në nisje të lojës. Balaj, Lila, Basha, Gjimshiti e Memushaj ishin të rinj në raport me dy ndeshjet e fundit, apo kishin ndërruar pozicion. Lëvizje këto jo qarta për një skuadër që kthehej të luante pak a shumë si me Portugalinë. Dhe në fakt kishte qenë ai që kishte prishur formacionin e katër ndeshjeve të para. Shumë mendojnë se gabimet janë njerëzore.

Sigurisht që mund të qëndrojë edhe kështu, por italiani nuk ka mundur të marrë pikë, sa herë që ka ndryshuar formacionin në mënyrë radikale. Ndoshta ndonjë lojtar është futur në fushë për shkak zëvendësimi, por De Biazi njihet si një trajner që në çdo ndeshje ka ndryshuar formacionet. Mjafton të kujtojmë që eliminatoret e kaluara në 10 ndeshje ka sjellë 10 formacione, ashtu siç ka bërë edhe këtë sezon, ku asnjëherë nuk ka dhënë qoftë edhe dy formacione të njëjta. Kjo lëvizje lojtarësh ka bërë që skuadra të vuajë manovrën sulmuese dhe golin. Vetëm 4 gola aktivë në 7 ndeshje. Shumë pak. Rrezikojmë të përsërsim Qipron e para dy viteve...

Gabimi i dytë – Shqipëria ose qëndron shumë përpara në rreshtim, ose qëndron pas në mbrojtje. Një dobësi që De Biazi ka dy edicione që nuk po e heq nga mendja e lojtarëve. Ndaj Norvegjisë, në “Qemal Stafa”, De Biazi tërhoqi ekipin pas dhe pësuam gol, por këtë ai nuk e pranoi kurrë. Të njëjtën gjë bëri edhe ndaj Danimarkës në tetorin e shkuar, teksa “futi” skuadrën në gjysmëfushën tonë e më pas dhe pësuam gol. E kundërta në ndeshjet e fundit, ku futemi në aventurë për të shënuar dhe pësojmë gola, të ardhur nga gabimet individuale, të mbrojtjes apo edhe lojtarëve të tjerë. Me Portugalinë Cana nuk largoi një top në sekondën e fundit dhe nga aksioni në vazhdim erdhi kornia që solli golin, me një mosmbulim të protugezëve. Humbja e topit të Gjimshtit solli aksionin e golit serb në ndeshjen e së enjtes.

Gabimi i tretë – Për të futur Ergys Kaçen në fushë si zëvendësues i Lilës, trajneri ka bërë shumë lëvizje brenda në formacion edhe pse mund ta zgjidhte me një zëvendësim kokë më kokë. Së pari, spostoi Memushajn dhe më pas Xhakën djathtas. Në qendër të mesfushës solli Kaçen. Memushaj tranziti i sulmit me mesfushën, humbi pasi mbulonte krahët dhe Balaj e Cikalleshi ishin të izoluar në sulm. Kujtojmë që Xhaka ishte përdorur me Armeninë djathtas, por ai është bërë për të luajtur qendror.

Lila, fare mirë, mund të ishte ndërruar me Gashin e Roshin. Të dy lojtarë ofensivë që do ta mbanin larg portës kundërshtarin nga e djathta e sulmit tonë Kolarovin, nga ku dolën të lirë lojtarët kundërshtarë në rastin e golit të parë. Një kaos në mesfushë që rezultoi vrastar në fund të lojës, pasi Hysaj mbeti i vetëm në atë krah. Lenjani qëndroi shumë në fushë dhe kur e zëvendësoi, futi Mehën në vend të tij ishte pa kuptim. Më mirë një mbrojtës sesa një mesfushor me tipare si Meha, që kërkon lojë tjetër. Abrashi mund të ishte një zgjidhje. Fiksimet e instikti, ndonjëherë duhet të vriten nga logjika.

Gabimi i katërt - Urdhërat ose nuk kuptohen ose nuk zbatohen në ekipin tonë. Në shumë raste Xhani De Biazi është ankuar se skuadra nuk i përgjigjet. Ashtu si edhe ndeshjen e fundit, ku fajësoi lojtarët për mosbindje taktike dhe kalim përpara të skuadrës. Por të shumta janë edhe shthurjet në mbrojtje. Cana si lider, duhet të organizojë këtë repart. Shumë herë ia ka dalë që të zgjidhë i vetëm situata të mëdha, por të tjera raste problemet janë të mëdha.

Edhe tani nuk kuptohet se çfarë kërkonte skuadra jonë të rrezikonte në sulm një ndeshje e cila ishte “salduar” në barazim. Më mirë një pikë të fituar, sesa Europian i humbur. De Biazi duhet të bëjë diçka për këtë ekip, ashtu si edhe lojtarët që tregohen të papërgjegjshëm në momente të caktuara. Çmenduritë për të fituar na kanë zhgënjyer në dy ndeshjet e fundit me Portugalinë dhe Serbinë, duke na rrezikuar Europianin. Faj i menaxherit. Një fjalë nga anët e mia thotë: “Bariu e drejton dhe mbledh tufën”...

Gabimi i pestë - Shthurje në mbrojtje. Goli i Kolarovit ishte një vetëvrasje e skuadrës tonë në repartin e mbrojtjes dhe mënyrën sesi rreshtohet ekipi. Së pari, një gabim i Gjimshitit, që pasi gaboi, nuk shkaktoi faull, ndaj Liajiçit. Së dyti, Cana Agolli dhe Memushaj që mbyllën zonën nuk u rreshtuan të tre në vijë të drejtë. Agolli ishte më përpara, por në lojë Cana e Memushaj mbanin Mitroviçin dhe një lojtar tjetër serb. Cana bëri edhe një lëvizje dëshpëruese për të rregulluar pozicionin ndaj Mitroviçit të Serbisë, por largimi edhe më shumë nga sulmuesi solli gabimin fatal, sepse nuk pati më pas mundësi fizike për të mbyllur hapësirat në vazhdim të aksionit.

Ishte Memushaj që mbante në lojë Mitroviçin, lëvizje kjo fatale. Hysaj nga e djathta nuk ishte në pozicion për të mbuluar si Mitroviçin dhe Kolarovin që erdhi me shpejtësi nga mbrojtja. Edhe Kaçe e Basha nuk mundën të bllokonin lojtarin dhe në vend të kishin një target të qartë u ngushtuan në mbrojtje. Shkurt, goli u bë nga katër serbë mes shtatë lojtarëve tanë. Në rastin e mbrojtjes ishte Loriku ai që duhet të udhëhiqte pozicionin, ndërsa Memushaj mbylli një zonë të hapur, por rezultoi se bëri një gabim. Gjithsesi, lojtarët tanë ishin kaotikë në bllokimin e kundërsulmit serb. Faji mbetet mes dy qendrave dhe anësorëve e mesfushorit para mbrojtjes që është Basha.

Gabimi i gjashtë – Goli i dytë paçka se i rëndë nuk duhet të vinte. E gjithë skuadra është kapur në kundërkohë. Vetëm Cana ka qenë mbrapa në mbrojtje dhe nuk ia ka dalë të bllokojë Liajiç. Zakonisht në këtë moment janë vetëm dy lojtarë pas. Shqipëria kishte dalë e gjitha në sulm, por kurrë nuk duhet të ishte zënë në atë mënyrë të zbuluar.

Përfundimi – Mund të jetë që Xhani De Biazi të ketë të metat dhe fajet e tij ashtu siç faje plot kanë lojtarët që nuk kanë shkëlqyer. Mendjemadhësi, apo pamundësi. Këtë nuk e dimë. Shpresojmë të parën, sepse nëse është e dyta është e pariparueshme deri të dielën. I takon tani Xhani De Biazit të bëjë prekjen magjike të trajnerit të Serisë A. Të zbresë ekipin nga qielli dhe të riparojë gabimet. Këto dy lëvizje janë hapi i parë për fitoren e Shqipërisë me Armeninë. Që ndryshe thotë edhe kualifikimi në Europian...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat