Alban Meha do gol edhe ndaj Serbisë

Sporti

Alban Meha do gol edhe ndaj Serbisë

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 00:36

Alban Meha do të rikthehet në kombëtare. “Snajperi” kuqezi e ka bindur trajnerin De Biazi me paraqitjet e tij mbresëlënëse te Konyaspori, në këtë sezon të ri futbollistik. Dje shënoi golin e tij të tretë me skuadrën turke, duke i dhënë një mesazh të qartë trajnerit kuqezi, se mund t’i shërbejë shumë në kualifikuesen me Serbinë, më 8 tetor, në “Elbasan Arena”.

Në një intervistë për gazetën “Tribuna” në Kosovë, Meha ka thënë se e ka marrë ftesën e Xhani De Biazit dhe është në top-formë për dy ndeshjet e rëndësishme të kombëtares, në të cilat varet fati i kualifikimit për në finalet e “Euro 2016”.
“Po është e vërtetë, Di Biazi më ka grumbulluar për dy ndeshjet që do t’i luajmë në muajin tetor, kundër Serbisë dhe Armenisë. Jam gati dhe jam në formë shumë të mirë.
Kam dëshirë që të shënoj gol, por më e rëndësishme është që të fitojë kombëtarja në të dyja ndeshjet. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe kemi gjasa shumë të mira që të shkojmë në Francë”, – ka deklaruar “snajperisti” i kombëtares shqiptare.
Futbollisti nga Prekazi, që luan në Turqi, te Konyaspor, theksoi se kuqezinjtë do të mundohen të bëjnë më të mirën, që zemrat e të gjithë shqiptarëve të rrahin fort, si asnjëherë më parë.
“Synimi madhor është fitorja. Të jemi të gjithë së bashku për këtë qëllim final. Askush të mos harrojë që më tepër se fitorja dhe kualifikimi ne Europian nuk na duhet asgjë tjetër, prandaj le të bëjmë më të mirën tonë që zemrat e miliona shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit të rrahin fort, fort, si asnjëherë tjetër”, – u shpreh Meha.

Alban Meha ka qenë në formacionin më të mirë të Superligës Turke një herë, këtë edicion, sikurse është renditur nga FIFA në vendin e 9-të të ekzekutuesve më të mirë të goditjeve të dënimit.
Konyaspori ka aktualisht 12 pikë, pas 7 ndeshjesh në kampionat. Alban Meha ka luajtur me kohë të plotë në të gjitha sfidat, ndërkohë që ka shënuar edhe 3 gola.
Mesfushori i ardhur nga Paderborni e ka bërë “sefte” me gol në kampionatin turk ndaj Osmanlıspor, në fitoren 2-1 ndaj kësaj skuadre, në fushën e saj, ndaj Gallatasarajit, përmes një goditjeje spektakolare dënimi, në humbjen 4-1 në shtëpi, si dhe dje ndaj Trabzonsporit, në transfertë, në fitoren 2-1.

Kujtojmë se Meha ka qenë i grumbulluar 6 ndeshje me kombëtaren shqiptare, me të cilën ka shënuar edhe 2 gola: në miqësoren ndaj Maltës, të fituar 2-0 në “Qemal Stafa” dhe ndaj Lituanisë.
Ka pasur njëlloj “stanjacioni” me fanellën kuqezi, sepse nuk ka qenë pjesë e formacionit të De Biazit, po ashtu, nuk është ftuar fare në ndeshjet e fundit. Shkak për këtë është bërë edhe dëmtimi që kaloi sezonin e shkuar, sa ishte pjesë e Paderbornit në Bundesliga.
Ndeshja e tij e fundit me kombëtaren shqiptare daton më 12 tetor 2012, Shqipëri-Islandë 1-2.De Biazi do ta grumbullojë për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të “Euro 2016”, ndaj Serbisë në “Elbasan Arena” dhe ndaj Armenisë në Jerevan.
Në këto dy sfida të tetorit do të vendoset fati i një edicioni të tërë kualifikues, ku Shqipëria synon seriozisht finalet e Europianit të Francës./Telesport

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat