Shkëndija e fuqishme, krenaria e shqiptarëve!

Sporti

Shkëndija e fuqishme, krenaria e shqiptarëve!

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 10:25

Klasikë ‘kuqezi’ në stadiumin e qyteti në Gostivar. ‘Viktimë’ ishte Bregallnica që me gjithë humbjen duhet të jetë e lumtur që në Shtip kthehet me vetëm 5 gola të pranuar. Shkëndija zhvilloi bindshëm ndeshjen më të mirë kohëve të fundit, duke u shfaqur shumë racionale, me lojë kombinuese, raste të shumta për të shënuar dhe pesë gola për fitore bindëse dhe tre pikë të reja.

Takimi nisi me mundësi për Hasanin që godet mbi portë, ndërsa në anën tjetër miqtë ndëshkojnë kur pas një kundërsulmi Nacev realizon saktë për epërsi të Bregallnicës. Goli i pranuar nuk tronditi aspak ‘kuqezinjtë’që vazhduan lojën e tyre, duke u shfaqur të ‘frikshëm’ me aksione të shumta dhe raste të njëpasnjëshme për shënim.

Barazimi erdhi në minutën e 15-të kur Hasani pason për Ibraimin në të majtë, me këtë të fundit që depërton fuqishëm dhe me një të djathtë precize sjell simetri në rezultat. Sulmet ‘kuqezi’ vazhduan edhe më tej dhe në minutën e 21 pas një harkimi të bukur nga këndi, Ibraimi me kokë përmbys gjithçka dhe sjell epërsi të Shkëndijës.

Në minutën e 32-të mjeshtëri e Ferhan ‘Buba’ Hasanit që sjell sllallom në mbrojtjen kundërshtare dhe me përfundim të saktë çon rezultatin në 3:1.

Aksionet vazhduan me rritëm të shpeshtuar dhe pas disa mundësive të humbura në minutën e 44 Hasani sërisht ‘përzien’ mbrojtjen kundërshtare ndërsa në tentimin për të pastruar Hristov shënon në rrjetë të gabuar dhe rezultati shkon në 4:1.

Loja e njëjtë vazhdoi edhe në pjesën e dytë kur Shkëndija kishte dominim të plotë në teren dhe krijonte mundësi të shumta shënimi.

Ndryshim nuk pati deri në minutën e 79-të kur Shkëndija shfaqet me aksionin më të bukur të takimit, disa pasime të shkurta e të sakta ‘shndërrojnë’ kundërshtarët në spektatorë, ndërsa Alimi me goditje të mrekullueshme shënon golin e pestë dhe fikson rezultatin final 5:1.

Shkëndija rëmben fitoren e tretë në katër xhiro dhe me goldiferencë 8:1 në dy takimet e fundit paralajmëron se ngadalë gjen formën e duhur, raporton faqja e klubit të futbollit Shkëndija.
Kjo është Shkëndija e fuqishme dhe krenaria e shqiptarëve. Shkëndija klasifikohet në vend të tretë me 9 pikë të fituara pas katër javëve dhe ka një pikë më pak se Vardari dhe Sileksi.

1’ Depërtim i Zhuniorit në të djathtë, harkon para zonës ku Kirovski nuk arrin të qetësojë, ndërsa tentimi i Hasanit shkoi mbi portë.

5’ Hasani nga gjuajtja e lirë mbi portë.

7’ Gol 0:1. Kundërsulm i Bregallnicës, mbrojtja ‘kuqezi’ ndalet duke pretenduar pozitë jashtëloje, ndërsa Nacev del para Jovanovskit dhe me goditje precize realizon për epërsi të miqve.

12’ Aksion i mirë i Shkëndijës, Hasani kërkon të gjejë para portës Kirovskin, mirëpo intervenon mirë portieri Zahov.

14’ Hasani provon me të majtën mbi portë.

15’ Gooool 1:1. Ibraimi barazon me goditje precize pasi pranon top të mirë në të djathtë nga Hasani dhe deprton shpejtë para portës ku sjell përfundim të saktë.

21’ Gooool 2:1. Demiri harkon nga këndi, në shtyllën e parë kërcen më së larti Ibraimi dhe me kokë sjell epërsi për Shkëndijën.

30’ Aksion i përkryer i Shkëndijës, Demiri godet mbi portë.

32’ Gooool 3:1. Depërtim fantastik i Hasanit, kalon disa futbollistë dhe me një të djathtë precize shënon për rritje të epërsisë.

34’ Ibraimi godet nga gjuajtja e lirë, Zahov shpëton me pritje të bukur.

35’ Besir Demiri shpëton një top dhe pasi krijon hapsirë lëshon të majtë të fortë që ndalet nga Zahov.

35’ Tjetër super pritje e Zahovit që ndal goditjen e fortë të Todorovskit.

37’ Kirovski me kokë dërgon topin në shtyllë pas harkimit nga këndi.

40’ Aksion i Kirovskit që pason për Zhuniorin, e majta e tij ndalet nga Zahov.

42’ Alimi harkon nga këndi, goditja e Cuculit me kokë për pak shkon mbi portë.

44’Goool 4:1. Hasani depërton në të majtë dhe asiston para zonës ku Hristov në tentimin për të pastruar shënon në portë të gabuar.

48’ Kombinim i mirë i ‘kuqezinjëve’ pas një rivënie nga këndi, Demiri godet fortë por jopreciz.

52’ Asist fantastik i Zhuniorit për Kirovskin i cili qetëson topin me gjoks mirëpo godet në portierin kundërshtar që shpëton tjetër gol të sigurtë.

59’ Nacev tenton me goditje të fortë, vetëm mbi portën e Jovanovskit.

67’ Zhunior provon me goditje të fortë, por nuk gjen kuadrantin.

75’ Aksion i mirë i Shkëndijës me disa pasime të sakta, në fund Vruçina godet skaj portës.

76’ Mundësi për miqtë kur zhvillojnë aksion nga krahu i majtë, Nacev godet mbi portë.

79’ Gooool 5:1. Aksion perfekt i Shkëndijës me disa pasime të sakta, ndërsa Alimi me goditje fantastike shënon gol të bukur për epërsi të lartë.

Shkëndija-Bregallnica 5:1 (4:1)

Stadiumi i qytetit në Gostivar

Shikues: 2.000

Arbitër: Marjan Eckoski

Arbitra anësorë: Zharko Todorovski dhe Sllagjan Markoski

Delegat: Sashko Tasev

Golashënues: Ibraimi 15’, 21’, Hasani 32’, Hrisotv a.g. 44’ dhe Alimi 79’ (Shkëndija), ndërsa Nacev 7’ (Bregallnica).

Kartona të verdhë: Pollozhani (Shkëndija), Ristovski dhe Mitrev (Bregallnica).

Shkëndija: Jovanovski, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Kirovski (Totre 73’), Hasani (Vruçina 61’), Demiri, Zhunior, Ibraimi, Pollozhani (Abdulla 46’), Todorovski.

Trajner: Shpëtim Duro

Bregallnica: Zahov, Hristov, Mitrev (Kocev 75’), Zdravkov, Nacev, Nikovski, Bllazheski, Tonev, Stankoviq (Ristovski 48’) , Stojanov, Mishev (Velkovski 57’).
Trajner: Vllatko Kostov

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat