Mavraj paralajmëron rikthimin e shpejt

Sporti

Mavraj paralajmëron rikthimin e shpejt

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 16:03

Futbollisit Mërgim Mavraj pak nga pak po e hedh pas krahëve dëmtimin e rëndë që pësoi në fund të sezonit të kaluar dhe mund ti rikthehet shumë shpejtë seancave stërvitore. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe i skuadrës së Kolnit në Bundesligën e parë gjermane tashmë ecën pa paterica dhe pas 6 javëve shumë të sikletshme për të mund ti rikthehet fushave të futbollit, edhe pse për ta parë sërish Mavrajn të luajë një ndeshje duhet ende edhe pak kohë. Për 29-vjeçarin ka sërish shpresë pas atij dëmtimi të rëndë në gjurin e djathtë, që për ta lënë pas iu nënshtrua dhe një operacioni në fillimin e muajit qershor.

I intervistuar nga gazeta gjermane Bild, Mavraj tregoi sesi po shkon faza e riaftësimit duke u shfaqur optimist mbi shanset e tij për tu rikthyer në fushat e blerta në një kohë shumë të shkurtër. Ndihem shumë mirë, deklaroi ish mbrojtësi i Greuther Furth për Bild. Kam ende pak dhimbje dhe nuk mund ti kryej plotësisht të gjitha ushtrimet që mund të më ndihmojnë për rikuperimin e plotë por kam ndjesi pozitive se gjërat do të shkojnë shumë mirë për mua, shtoi në vijim Mavraj. I pyetur për rikthimin e tij në fushë 29-vjeçari nuk dha një përgjigje ekzakte, por nënvizoi se mjekët janë besimplotë dhe ai po punon nga 5 deri në 6 orë në ditë për të lënë pas dëmtimin.

Mërgim Mavraj është një nga futbollistët më të rëndësishëm të kombëtares kuqezi, dhe mungesa e tij në dy ndeshjet elimintore të muajit Shtator që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Danimarkës dhe Portugalisë do të ishte një minus i madh për skuadrën e drejtuar nga Gianni De Biasi. Trajnerit italian nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kryqëzojë gishtat që Mavraj të riaftësohet në kohë për këto dy takime edhe pse gjasat që diçka e tillë të ndodhë nuk janë shumë të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat