Partizani ka tre avantazhe kundër Strømsgodset

Sporti

Partizani ka tre avantazhe kundër Strømsgodset

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 08:13

Fusha me bar natyral, temperaturat dhe tifozët. Këto janë tre avantazhet më të mëdha të Partizanit në ndeshjen e kthimit kundër Strømsgodset. Skuadra e stërvitur nga Sulejman Starova shpreson që miqtë të hasin vështirësi në ambjentimin por edhe me faktin se do të luajnë në fushë me bar natyral për të lëshuar disi terren në sfidën e së enjtes në “Qemal Stafa”. Humbja e parë në Norvegji është një kapitull i mbyllur, sepse Partizani kërkon të kthejë gjithçka në favor për të siguruar biletën e fazës tjetër të Europa League duke i bërë llogaritë deri në detaje. Ekipi po stërvitet në “Qemal Stafa” që prej së hënës për t’u ambjentuar sa më shumë në fushë me bar origjinal dhe ndoshta ky është një avantazh jo o vogël për të kuqtë. “Marienlyst Stadion”, shtëpia e Strømsgodset ka një fushë me bar artificial, ashtu si pjesa më e madhe e komplekseve në Norvegji ku klima nuk lejon rritjen e barit. Fakti më interesant është se gjatë këtij sezoni në kampionat, Strømsgodset nuk ka fituar asnjë ndeshje në fushë me bar natyral dhe kjo është një statistikë që drejtuesit e klubit shqiptar nuk mund të mos e marrin parasysh. “Qemal Stafa” mund të rezultojë kështjella e të kuqve, të cilët edhe pse stërvuten në Pezë Helmës, ndeshjet zyrtare i kanë zhvilluar pothuajse të gjitha në fushën e stadiumit kryeqytetas. Përveç impianteve moderne, pjesa më e madhe e stadiumeve në Norvegji kanë zgjedhur t’i veshin fushat me bar artificial dhe kjo është kthyer në një traditë për të evituar kostot e mëdha të mirëmbajtjes së barit natyral. Në listën e 18 stadiumeve kryesore vetëm 8 prej tyre kanë vendosur të zgjedhin fushat me bar natyral. Një tjetër avantazh është edhe klima disi më e nxehtë në vendin tonë. Ndeshja do të luhet në orën 20:00 në Tiranë, orë kur parashikimet e japin tempareturën rreth 29 gradë edhe pse gjatë gjithë ditës termometri do të shënojë rreth 7 gradë më shumë. Kjo e dhënë mund të ndikojë në gjendjen fizike të kundërshtarëve, të mësuar për të luajtur në temperatura më të ulëta. Në fund, por jo më pak i rëndësishëm është edhe faktori tifozë. Një det i kuq do të pushtojë “Qemal Stafën” për të mbështetur skuadrën kryeqytetase drejt misionit historik për të arritur kualifikimin në fazën e dytë të Europa League.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat