Kukësi, Troisi: Kemi 50% te shanseve për t’u kualifikuar

Sporti

Kukësi, Troisi: Kemi 50% te shanseve për t’u kualifikuar

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 22:37

Kukësi është gati për përballjen e parë në Europa League ndaj bjellorusëve të Torpedo Zhodinos. Në kompleksin Tirana Internacional në Pezë nënkampionët e Shqipërisë zhvilluan stërtivjen e parë që pas kthimit të tyre nga Austria por njëkohësisht edhe seancën e fundit përpara sfidës me Torpedon që do të zhvillohet pasditen e kësaj të Enjteje në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Trajneri i ri i Kukësit braziliani Marcelo Troisi u shpreh i kënaqur me fazën përgatitore që zhvilluan verilindorët në Austri, ndërkohë që foli me optimizëm në lidhje me mundësitë që ka Kukësi për të regjistruar një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë ndaj skuadrës bjelloruse.

“Faza përgatitore shkoi shumë mirë, por normalisht ishin disi të ngarkuar me pjesën e ndeshjeve pasi zhvilluam 6 takime miqësore.Edhe pse unë personalisht nuk isha në dijeni të një programi kaq të ngjeshur,mendoj se përgatitjet në Austri na vlejtën shumë sepse ngarkesa u mor e plotë. Duke parë rezultatet e të 6 ndeshjeve që zhvilluam aty jam shumë i kënaqur me ekipin. Ky fakt më jep shpresë që ne do të bëjmë një paraqitje shumë të mirë edhe ndaj Torpedos, që me ato cfarë unë kam parë nuk ka asgjë më shumë se ato ekipe me të cilat ne jemi përballur në Austri”.

Në vijim të intervistës së tij Marcelo Troisi nënvizoi se e ka studiuar deri në detaje kundërshtarin dhe ky fakt mund ta ndihmojë jo pak Kukësin. Megjithatë sipas trajnerit brazilian një përgjigjje më të saktë do ta japë vetëm fusha e blertë.

” E kam studiuar kundërshtarin. E kam ndjekur edhe në internet Torpedon por e pashë edhe nga afër gjatë stërvitjes që ata zhvilluan në Qemal Stafa.Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, 11 kundër 11. Shanset janë 50 me 50. Cdo gjë do tja lëmë fushës dhe besoj se edhe me ndihmën e zotit mund tia dalim”.

Gjatë merkatos së verës te Kukësi janë afruar disa lojtarë brazilianë të cilët janë përzgjedhur pikërisht nga Troisi. Tekniku i verilindorëve i vlerësoi maksimalisht këta futbollistë edhe pse duhet ende kohë për të parë më të mirën e tyre. Një emër sugjestionues është padiskutim Erick Flores nga i cili në ambientin kukësian presin shumë.

“Brazilianët janë lojtarë të cilët duhet të bëjnë diferencën sepse për këtë arsye i kemi sjellë në skuadër. Që një futbollist i huaj të vijë në Shqipëri duhet të jetë me të vërtetë cilësorë. Erick Flores është njëri prej tyre dhe besoj se do të japë më të mirën te Kukësi, gjithmonë nëse do të luajë pasi nuk e kam vendosur ende se cili do të jetë formacioni titullar. Gjithsesi jam i bindur se lojtarët brazilianë do të bëjnë diferencën sidomos në takimin e kthimit ndaj bjellorusëve”.

Por sa beson realisht Marcelo Troisi te kualifikimi i Kukësit në turin e dytë paraeliminator të Europa League.

“Puna ime është kjo dhe për të arritur një objektiv të tillë po punoj. Jam i bindur që i kemi mundësitë për të avancuar më tej”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat