Blatter drejt fitores në zgjedhje por sa do të rezistojë?!

Sporti

Blatter drejt fitores në zgjedhje por sa do të rezistojë?!

Më: 29 maj 2015 Në ora: 12:34

Sot është një ditë vendimtare për futbollin botëror. Takimi është për pasditen e vonë. Në selinë e Fifa-s në Zyrih 209 delegatët e 209 Federatave anëtare të Fifa-s do të votojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të organizmit maksimal të futbollit botëror. Nuk kanë mjaftuar skandalet që kanë tronditur mbretërimin e Blatter, nuk mjaftuan as arrestimet e FBI. Do të votohet, dhe emri që do të dalë nga Kongresi do të marrë një mandat deri në 2019. Dy janë kandidatët. Joseph Blatter, 79 vjecari zviceran dhe princi jordanez, Ali Bin Al-Husein, djali i tretë i Mbretit Hysein të Jordanisë. Për të fituar zgjedhjet nevojitet një mazhorancë e 2/3 të 209 votuesve, më saktësisht 140 vota, por nëse do të ketë një votim të dytë për të zgjedhur presidentin e ri do të mjaftojë një shumicë e thjeshtë prej 105 votash. Të gjitha prognozat të cojnë një drejtim, Sepp Blatter do të zgjidhet në votimin e dytë si Presidenti i Fifas.

Joseph Benjamin Blatter kolonel në pension i ushtrisë zvicerane, mund të ketë kaluar një natë pa gjumë për shkak të tensionit, por numrat janë ende nga ana e tij, duke qenë se ka mbështetjen e Konfederatës Afrikane, dhe asaj aziatike. Numrat janë këta., Konfederata Afrikane, Caf ka 54 vota. Uefa 53, Konfederata aziatike, AFC 46, Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve 35, Konfederata e Oqeanisë OFC ka 11 vota, Konfederata e Amerikës së Jugut, CONMEBOL 10. Për momentin Uefa, pra Europa në thirrjen e presidentit të saj Michel Platini është e vetmja konfederatë e rreshtuar kundër rizgjedhjes së Blatter. Këtij fronti mund ti shtohen votat e Afrikës së Jugut dhe Conccaf por edhe në këtë rast do të arrihej në maksimumi 98 vota kundër Blatter dhe do të duhej ndonjë hemoragji në frontin që është pro Blatter për të rrëzuar zviceranin nga froni. Për momentin duket një hipotezë pothuajse e pamundur për tu realiziuar.

Vetëm ndonjë rrufe në qiell të hapur mund ti ndalojë Joseph Blatter të rizgjidhet sot në mbrëmje në presidencën e Fifa-s për të pestën herë rradhzi. 17 vjet pas fitores së parë në Paris. Mes skandaleve froni i tij lëkundet por pavarësisht të gjithave monarku i topit mbetet në avantazh ndaj sfidantit të tij, princit Ali Bin Al Husein. Blatter dje në Kongres luajti në mbrojtje duke u vetëshpallur i pafajshëm ndërsa premtoi për të pastruar Fifan nga korrupsioni që e ka mbuluar. Gjithsesi problemi nuk është më zgjedhja e Blatter por se sa kohë do të rezistojë. Vështir ë të mendohet që mbretërimi i tij edhe pas zgjedhjes deri në 2019 mund të zgjasë më shumë se një vit. Fronti i opozitës kundër tij, ka mbështetjen jo vetëm të njerëzve të futbollit, duke filluar nga Platini që unifikoi votën Europiane duke kërkuar largimin e zviceranit, por dhe lider shtetesh, Cameron në Angli dhe Hollande në Francë janë kundër Blatter ndërsa edhe OKB është distancuar nga Blatter. Elementi që e bën të paevitueshme daljen nga skena të Blatter edhe pas rizgjedhjes ka të bëjë me faktin që akuzat për korrupsion vazhdojnë prej të paktën 5 vitesh dhe pas dorëzimit të Botërorit 2018 në Rusi dhe atij të 2022 në Katar, britanikët, amerikanet dhe australianët kanë tentuar të provojnë me cdo kusht korrupsionin në brendësi të Fifa-s. Blatter nuk është më i besueshëm as brenda dhe as jashtë Fifa-s, dhe sot edhe pas rizgjedhjes së tij si president, me shumë mundësi në raundin e dytë të votimit, duhet të studiojë një strategji për të dalë nga skena. Koha po skadon edhe për Blatter.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat