Milan, në garë hyn "Mbreti i Pijeve" në Kinë

Sporti

Milan, në garë hyn "Mbreti i Pijeve" në Kinë

Më: 1 prill 2015 Në ora: 23:03

Pak javë pas daljes në skenë të tajlandezit Mr. Bee, një tjetër emër i panjohur, të paktën në Europë, kërkon të marrë drejtimin e shoqërisë.

Nga Tajlanda në Kinë. Kontinenti mbetet i njëjtë por jo kandidatët dhe vendet ku ata ushtrojnë aktivitetin. Milani shikon përherë me më shumë drejt tregut aziatik për të dalë nga situata delikate e imponuar nga mungesa e parave në arkën kuqezi. Pak javë pas daljes në skenë të tajlandezit Mr. Bee, një tjetër emër i panjohur, të paktën në Europë, kërkon të marrë drejtimin e shoqërisë. Ai quhet Zong Qinghou dhe në Kinë njihet si mbreti i pijeve. Ai ka në pronësi kompaninë "Future Cola" dhe sipas mediave italiane, kërkon deri në 75 % të aksioneve.

Një ide që i pëlqen edhe presidentit Berlusconi, i cili përgatit daljen përfundimtare nga skena. Gjatë ditëve të ardhshme, Zong Qinghou do të nisë kontrollin e bilanceve të shoqërisë Fininvest dhe më pas mund të ulet në një tavolinë me manjatin italian për të diskutuar detajet e blerjes së aksioneve. Nëse marrëveshja finalizohet, atëherë Milani mund të marrë frymë lirisht pasi likuiditeti nuk do të mungojë dhe për këtë flasin qartë të dhënat që vijnë nga Kina e largët. Qinghou është njeriu i 86 më i pasur i planetit me një trashëgimi monetare që kap vlerën 11.6 miliardë Dollarë pasi ka arritur të fitojë një treg të rëndësishëm me Coca Colan kineze. Gjithsesi, Milani kinez mbetet ende një projekt sepse aktualisht edhe tajlandezi Mr. Bee po studion financat e klubit dhe pas kësaj pritet të bëjë një ofertë zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat