Talenti Traore: Dua të bëhem si Messi

Sporti

Talenti Traore: Dua të bëhem si Messi

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 22:41

Ajo ndaj Huescas ishte ndeshja e tretë zyrtare që Traore luajti me fanellën e Barcelonës..

Trajnerit të Barcelonës Luis Enrique sfida e kthimit e raundit të 1/16 të Kupës së Mbretit përballë modestëve të Huescas i shërbeu për të promovuar sa më shumë elementë të rinj. Ai që spikati më tepër në fitoren e thellë të Barcës me shifrat 8-1 ishte padyshim Adama Traore. 18-vjecari me origjinë nga Mali por që zotëron pasaportë spanjolle edhe pse hyri në fushë vetëm në minutën e 74-t duke zëvendësuar talentin tjetër Munir El Haddadi, arriti të linte shenjën e tij duke realizuar një gol shumë të bukur vetëm pak caste pasi kishte zbritur në tapetin e gjelbërt të Camp Nou-t. Traore i cili vetëm pak kohë më parë firmosi një kontratë të re me Barcelonën deri në vitin 2018, në një intervistë për mediat spanjolle foli për idhujt e tij si dhe theksoi se ai dëshiron që te klubi katalanas të ndjekë gjurmët e yllit argjentinas Lionel Messi.

" Idhujt e mi përpara disa vitesh kanë qenë Ronaldinho dhe Ronaldo fenomeni, ndërsa tani futbollisti që admiroj më tepër është padiskutim Lionel Messi. Leo është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe unë kam fatin që të luaj me të në një skuadër. Shpresoj që të mësoj sa më shumë nga Messi gjatë kësaj kohe".

Ajo ndaj Huescas ishte ndeshja e tretë zyrtare që Traore luajti me fanellën e Barcelonës, edhe pse në asnjë prej këtyre tre takimeve i riu me orgjinë afrikane nuk e ka nisur si titullar. Në vazhdim të intervistës së tij 18-vjecari foli edhe për eksperiencën fantastike që përjetoi mbrëmjen e të Martës si dhe tregoi disa nga cilësitë që e karakterizojnë atë si futbollist.

" Që në momentin që iu bashkova skuadrës së parë të Barcës në dhomat e zhveshjes të gjithë u përpoqën të më ndihmonin dhe të më qëndronin pranë. Cilat janë cilësitë që zotëroj unë si futbollist? Pikat e mia më të forta janë shpejtësia dhe forca. Këto janë ato që spikasin më shumë tek unë por me kalimin e kohës do tju tregoj të gjithëve se kam edhe të tjera kualitete. Goli im i parë me Barcelonën? Në momentin që shënova ndaj Huescas ndjeja një kënaqësi të jashtëzakonshem. Të shënosh në Camp Nou është dicka madhështore dhe për më tepër ta festosh golin tënd me disa nga yjet e Barcës është një gjë akoma edhe më e bukur".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat