Pse KHF Kosova nuk udhëton për në Kroaci?

Sporti

Pse KHF Kosova nuk udhëton për në Kroaci?

Nga: Kemajl Goca Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:56

Në fundjavë nuk do të zhvillohet ndeshja e shumëpritur evropiane në hendboll (femrat) mes Kosovës së Vushtrrisë dhe HC Zelina nga Kroacia! Ndodhi ajo që më së paku pritej! Hendbollistet vushtrriase nuk janë pajisur me viza dhe ndeshja shtyhet për kohë të pacaktuar nga Federata e Hendbollit Evropian (EHF). Ndeshjet ishin paraparë që të dyja të luhen në Kroaci, me marrëveshje të klubeve. Ndeshja e parë ishte paraparë me 22 nëntor dhe tjetra një ditë më vonë. Fadil Maxhuni, kryetar i Kosovës, tha se problemi është te viza. “Nuk jemi pajisur me viza kroate! Ambasada kroate ka kritere të jashtëzakonshme! Ata na kanë thënë që u desh të aplikojmë para tre muajve, pasi jemi si grup, si sportistë. Ne para tre muajve nuk e kemi ditur shortin se më kë do të luajnë, sepse nuk ishte caktuar shorti. Kemi aplikuar për viza dhe prej 26 nëntorit do të na caktohet termini i ndeshjes! Ndeshja është shtyrë për kohë të pacaktuar, pasi për këtë problem e kemi njoftuar edhe Federatën e Hendbollit Evropian (EHF), e cila ka hasur në mirëkuptim së bashku me klubin kroat, Zelina. Me kohë i kemi lajmëruar. Sot (dje) kemi aplikuar me formularë të ri dhe besoj brenda javës së ardhshme do të pajisem me to”, tha Maxhuni, duke u ankuar edhe për vështirësitë që kanë me mjete financiare. “Kemi probleme tashmë edhe me mjete financiare ani se kemi aplikuar për viza në ambasadën kroate! Ministria e sportit nuk na ndihmon, por ajo i ndihmon vetëm aktivitetet e përfaqësueses dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës. As Kuvendi Komunal në Vushtrri nuk po na ndihmon. Shpresojmë të kanë mëshirë donatorët, sepse jemi në situatë të rëndë financiare”, tha Maxhuni. Ministria e sportit para disa ditëve ka sqaruar se tashmë do t’i ndihmojë vetëm aktivitetet e kombëtares dhe jo edhe klubet. Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, tregon se ka kontaktuar me EHF-in. “KHF Kosova për shkak të mosmarrëveshjeve me klubin Zelina, kanë aplikuar për vizë me vonesë (pasi nuk e kanë pasur ftesën zyrtare me garancione) dhe ambasada nuk ka mundur të jep viza hyrëse për këtë vikend. Dje (e mërkurë) FHK ka kontaktuar me EHF-in dhe i ka shpjeguar gjërat, falë mirëkuptimit, kjo ndeshje u shty për një datë tjetër. Në ndërkohë, klubet deri me 26 nëntor duhet të merren vesh kur zhvillohen ndeshjet e reja. Kanë afat t’i zhvillojnë takimet deri me 11.01.2015”, tha Gjinovci. Trajneri i Kosovës, Florent Beqiri, tha se kjo shtyrje e ndeshjes mund t’i ndihmojë të përgatiten edhe më mirë. “Shiko, sa më shumë që ushtrojmë, kemi kohë për ndonjë ndeshje kampionale apo ndërkombëtare, me siguri është më mirë. Për arsye se çdo ditë njeriu mëson diçka. Sa më shumë që mëson aq më lehte i kryen detyrat”, tha Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat