Di Matteo: Nuk jemi edhe aq keq

Sporti

Di Matteo: Nuk jemi edhe aq keq

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 22:48

Gjithsesi trajneri italian nuk dëshiron të ndalet me kaq pasi kërkon nga skuadra e tij një tjetër fitore këtë herë në kompeticionin ku ai pikërisht u bë i famshëm...

Roberto Di Matteo e nisi shumë mirë aventurën e tij në stolin e Schalke 04 pasi në ndeshjen e tij të parë në stolin e Bluve Mbretërorë fitoi 2-0 përballë Herthës së Berlin-it. Gjithsesi trajneri italian nuk dëshiron të ndalet me kaq pasi kërkon nga skuadra e tij një tjetër fitore këtë herë në kompeticionin ku ai pikërisht u bë i famshëm si trajner, UEFA Champions League teksa në vitin 2012 shpalli Chelsea-in kampion Europe për të parën herë në histori. Pas dy barazimeve në Grupin G, Schalke pret në “Veltins Arena”, Sporting-un e Lisbonës. Sipas Di Matteos situata në të cilën ndodhen Blutë Mbretërorë nuk është edhe aq e keqe megjithatë ai këmbngul se për të avancuar përtej fazës së grupeve në Champions League duhet të paktën të fitosh ndeshjet në shtëpi.

“Unë mendoj se nuk ndodhemi në një pozitë shumë të vështirë. Cdo gjë është ende e hapur në këtë grup por ne me cdo kusht duhet të fitojmë ndeshjet që kemi në shtëpinë tonë pasi në një kompeticion si Champions League është shumë e vështirë të bësh rezultat në transfertë”.

Sporting-u vjen në takimin ndaj Schalkes pas humbjes 1-0 që pësoi përballë Chelsea-it, por sipas Di Matteo-s portugezët kanë një skuadër shumë të mirë që mund të vejë në vështirësi këdo kundërshtar.

“Ata janë një skuadër teknikisht shumë e mirë që u pëlqen të kenë kontrollin e topit gjatë gjithë kohës, luajnë me një modul 4-3-3 por mbi të gjitha drejtohen nga Marco Silva që është një trajner e ri shumë i mirë me një intuitë të jashtëzakonshme. Nëse duam të fitojmë nuk duhet t’u lejojmë atyre kontrollin e lojës”.

Për sfidën ndaj Sporting-ut, Schalke ka rikuperuar kapitenin Benedikt Howedes ndërkohë sic ka bërë edhe në dy ndeshjet e tjera të këtij edicioni në Champions do të mund të mbështetet te Klaas-Jan Huntelaar. Sulmuesi holandez ishte i pranishëm në konferëncën për shtyp së bashku me trajnerin Di Matteo. Në lidhje me italianin Huntelaar tha se gjithmonë është e vështirë të punosh me një trajner të ri por sipas holandezit, Di Matteo është shumë inteligjent dhe menjëherë e ka kuptuar se si funksionojnë gjërat te Schalke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat