Hajvalia ‘rrëshqet’ në Mitrovicë!

Sporti

Hajvalia ‘rrëshqet’ në Mitrovicë!

Nga: K.G. Më: 2 tetor 2014 Në ora: 17:09

Hajvalia pësoi debakël në Mitrovicë me rezultat 3:0 nga Trepça ’89, në ndeshjen e parë të javës së tetë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Fahredin Duraku u rikthye fuqishëm në postin e trajnerit të ’89-shit, duke triumfuar bindshëm. Kryesuesi i tabelës, Hajvalia, pësoi humbjen e parë pas gjashtë fitoreve e një barazimi. Futbollistët mitrovicas treguan lojë të hapur e të pjekur, duke mos e respektuar fare kryesuesin! Qysh në minutën e 11-të, sulmuesi Blerand Kurtishaj nga rreth 11-12 metra e kërcënojë portën e mysafirëve. Berat Hyseni huqi një rast ideal, i cili nuk e qëlloi topin me kokë, që ta mposhtë portën mysafire. Në minutën 40-të, Hyseni gjuajti, por topi devijohet shkurtazi deri të Arbër Patoku dhe shënoi për 1:0. Blerand Kurtishaj, i cili edicionin e kaluar ka qenë shënuesin më i mirë i elitës, realizoi dy gola dhe ia siguroi fitoren bindëse mitrovicasve. Në minutën 67-të, Shpëtim Idrizi me dinakërinë e tij për mrekulli asistoi deri të Kurtishaj dhe ky shënoi për 2:0. Dhe tre minuta (87’) pa përfunduar takimi, Kurtishaj realizoi për 3:0 dhe për fitoren bindëse. Hajvalia në javën e ardhshme pret Istogun, ndërsa Trepça ’89 i shkon Vëllaznimit në Gjakovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat