Enrique: La Liga nuk fitohet në Shtator

Sporti

Enrique: La Liga nuk fitohet në Shtator

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 21:56

Kryesimi aktual i La Ligas për Enriquen nuk do të thotë asgjë, pretendentët e vërtetë do të shihen në pranverë.

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, para se të fliste për Malagan, kundërshtaren e radhës të katalanasve në Primera Division, sqaroi edhe një herë episodin ku u bë protagonist Neymar, në momentin e zëvendësimit në takimin me Levanten në transfertë.

"Të gjithë dëshirojnë të luajnë 90 minuta, por kjo është e pamundur. Ishte një situatë normale që ndodh në futboll. Në fillim, Neymar mendoi se nuk mund ta vijonte lojën, më pas e kuptoi që mund të hynte sërish në fushë, por ishte vonë, sepse e kisha kërkuar ndërrimin".

Nga Neymar te Messi, i cili si rrallë herë gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Por as që vihet në dyshim, argjentinasi mbetet futbollisti i parë që do të ekzekutojë 11-metërshat.

"Penalltitë do të vijojë t’i gjuajë Messi, sepse kështu mendojnë të gjithë shokët e tij të skuadrës. Kemi besim maksimal te Leo. Nëse ndaj Malagas do të fitojmë 11-meyërsh, pa dyshim që do ta ekzekutojë Messi".

44-vjecari ka shumë arsye për t’iu frikësuar Malagas, e cila në shtëpinë e saj do të kërkojë të ndërpresë serinë e fitoreve të Barcës.

"Më shqetëson Malaga si skuadër. Është një ekip me shumë potencial, që luan mirë me topa të gjatë, pa harruar rrezikshmërinë nga goditjet standard. Më shqetëson gjithcka. E njoh shumë mirë trajnerin e tyre, Javi Garcian, sepse është i brezit tim".

Kryesimi aktual i La Ligas për Enriquen nuk do të thotë asgjë, pretendentët e vërtetë do të shihen në pranverë.

"Vetëm në muajin mars do ta kuptojmë se cila skuadër është pretendente për titullin. Objektivi ynë është që në këtë periudhë ne të jemi në garë në të gjitha kompeticionet. Askush nuk e ka fituar la Ligan në shtator, tetor, nëntor, dhjetor, janar apo shkurt. Sezonin e kaluar pamë një garë shumë emocionuese, ndërsa këtë radhë përvec Realit dhe Atleticos, që me siguri do të jenë aty, mund të pretendojnë edhe Sevilla me Valencian".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat