Formula 1, notë maksimale për Mercedes, ngec Ferrari

Sporti

Formula 1, notë maksimale për Mercedes, ngec Ferrari

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 21:47

Ferrari vazhdon të mbahet në nivele të tilla mesatare vetëm nga talenti dhe eksperienca e pilotit iberik.

Formula 1 bëhet gati për të hyrë në pjesën e fundit të sezonit dhe kur kanë mbetur vetëm 2 muaj deri në mbylljen e këtij edicioni gjërat vazhdojnë po njësoj me dominimin e padiskutueshëm të ekipit Mercedes. Të dy pilotët e skuadrës gjermane vijojnë të alternohen pafundësisht në krye të cdo gare dhe këtë herë me sa duket radhën e pati Leëis Hamilton i cili shfrytëzoi më së miri problemet e kolegut të tij Nico Rosberg për të dominuar Cmimin e Madh të Singaporit.

Me rivalin e tij kryesor për titull jashtë gare piloti britanik zhvilloi një garë perfekte duke regjistruar suksesin e dytë rresht për këtë sezon dhe të shtatin gjatë vitit 2014. Mungesa e konkurrencës natyrisht nuk është aspak për faj të tij kështuqë fitorja në Marina Bay vlerësohet automatikisht me notën 10, sepse mbi të gjitha e rikthen pilotin anglez në krye të botërorit pas plot pesë muajve. Me notën 9 vlerësohet në përfundim gara e katër herë kampionit të botës Sebastian Vettel, që këtë herë u mund vetëm nga Hamilton e njëkohësisht edhe nga superioriteti i makinës Mercedes. Nën dritën e prozhektorëve kampioni në fuqi zhvilloi garën më të mirë të sezonit duke regjistruar podiumin e tretë të vitit 2014, por një rezultat i tillë shërbën gjithashtu për t’i dhënë fund zërave që flasin gjithmonë e më shumë mbi një largim të mundshëm të kampionit gjerman në fund të sezonit nga ekipi Red Bull Një votë mesatare në përfundim meriton piloti i ri i ekipit Red Bull Daniel Ricciardo, i cili si rrallëherë këtë sezon u mund nga shoku i tij i skuadrës Vettel.

Ashtu si vota edhe gara e 25-vjecarit australian ishte mesatare, pasi Ricciardo u nis nga vendi i tretë dhe e mbylli garën po aty pa bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Dicka më mirë dhe ndoshta me notën 8 mund të vlerësohet 2 herë kampioni i botës Fernando Alonso, që ndonëse e filloi garën nga vendi i pestë e mbylli atë në pozicionin e katërt, me vetëm 1.8” diferencë me Sebastian Vettel. Në Maranello vazhdojnë të insisitojnë në rinovimin e ekipit dhe drejtuesit e skuadrës së kuqe po bëjnë përpjekje maksimale për ta rikthyer Ferrarin aty ku e meriton, sidoqoftë fakt është që ekipi vazhdon të mbahet në nivele të tilla mesatare vetëm nga talenti dhe eksperienca e pilotit iberik. Niveli i vërtetë i Ferrarit duket ai që shfaq Kimi Raikkonen, dhe vlen të kujtohet fakti që piloti finlandez 12 muaj më parë me Lotus luftonte për vendin e dytë ndërsa sivjet ndonëse ngasin të njëjtën makinë Kimi duket si fillestar krahasuar me 33-vjecarin asturian. Pra Raikkonen shpreh në njëfarë mënyre vlerën e vërtetë të skuadrës së kuqe, ndërsa Alonso në krahun tjetër mbeti jashtë podiumit thjesht për shkak të futjes në pistë të makinës së sigurisë, gjë që hodhi në erë përfundimisht edhe planet e pilotit spanjoll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat