“Ngec” Atletico, humbet Bilbao

Sporti

“Ngec” Atletico, humbet Bilbao

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 22:31

Celta Vigo e cila nuk kishte pësuar asnjë humbje në këtë sezon e ruajti pathyeshmërinë edhe ndaj kampionëve të Spanjës.

Atletico e Madridit ngec në shtëpi. Los Colchoneros nuk shkuan më shumë shumë se një barazim 2-2 përballë Celta Vigos në Vincente Calderon duke u bërë një dhuratë shumë të bukur rivaleve të Barcelonës dhe Realit të Madridit. Celta Vigo e cila nuk kishte pësuar asnjë humbje në këtë sezon e ruajti pathyeshmërinë edhe ndaj kampionëve të Spanjës por për këtë skuadra galiciane duhet t’i falej portierit të saj Alvarez. Në Calderon ishte Celta ajo që kaloi e para në avantazh. Në minutën e 19-të mesfushori kilian i ardhur këtë verë Pablo Hernandez ishte thjeshtë spektakolar teksa me një goditje me takë kaloi formacionin e Berizzos në epërsi por për këtë duhet të falenderonte edhe portierin Moya që bëri harakiri me lëvizjen e tij të gabuar.

Gjithsesi edhe pse në sulm Atleticos i mungonte lojtari i saj kryesor kroati Mario Mandzukic, Los Colchoneros sic bënë shpesh sezonin e shkuar për të kthyer rezultatin në favor të tyre mund të mbështetshin te dyqëndërmbrojtësit Miranda dhe Godin. Në të 31-tën ishte futbollisti brazilian ai që devijoi saktë një krosim të Koke duke barazuar rezultatin. Ndërkohë vetëm 10 minuta më pas Godin bëri atë që di të bëjë më mirë duke kërcyer më lartë se të gjithë e me kokë duke shënuar golin e 2-1. Gjithsesi Nolito ktheu gjithçka në baraspeshë 8 minuta nga starti i pjesës së dytë teksa realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutat e mbetura Atletico tentoi me të gjitha mënyrat për ta fituar sfidën por nuk ja doli dot pasi në rrugën e saj drejt fitores gjeti një super Alvarez që priti gjithçka që i doli përpara.

Në fakt surprizën e vërtetë të ditës në La Liga e bëri Granada që mposhti Athletic Bilbaon, me skuadrën e Ernesto Valverdes që pas disfatës me Barcelonën një javë më parë këtë herë u dorëzua brenda në fortesën e saj San Mames përballë ekipit të ish-teknikut Joaquin Caparros. Një gol i Cordobas në minutën e 39-të i dha Granadas tre pikët dhe nga ana tjetër ndëshkoi baskët që pësuan humbjen e tretë në 4-ndeshje. Por një meritë të madhe në finalizimin e sulmuesit kolumbian të miqve e pati Iturraspe që katranosi gjithçka me topin ndër këmbë duke i dhënë Cordobas shansin e artë për të kaluar Granadën në avantazh. Pas golit të miqve ndeshja u dominua e gjitha nga Bilbao por Aduriz, Susaeta e Muniain nuk patën asnjëherë sakëtsinë e duhur përballë portës kundërshtare duke bërë që gjjithçka të mbyllej me fitoren e Granadës 0-1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat