Gjakova luftoi, por humbi, Bedeti një fitore

Sporti

Gjakova luftoi, por humbi, Bedeti një fitore

Nga: Kemajl Goca Më: 27 gusht 2014 Në ora: 11:09

Xhudistja Nora Gjakova (57 kg) e kombëtares së Kosovës, megjithëse tregoi luftë të mirë, nuk ia doli që ta mposhtë rumunen Loredana Ohai, kurse shqiptarja Vlora Bedeti (57 kg), që përfaqësoi Slloveninë, shënoi një fitore dhe pësoi një humbje në Kampionatin Botëror të xhudos për seniorë, që po mbahet në Chelyabinsk të Rusisë. Bedeti në rrethin e parë tregoi luftë të madhe dhe e mundi kanadezen Stefanie Tremblay. Kjo përballje nuk zgjati më shumë se 3 minuta e 18 sekonda, ndërsa ashtu siç edhe kemi paralajmëruar më pas shqiptarja u ndesh me brazilianen e mirënjohur, Rafaela Silva. Braziliania ishte shumë më e mirë dhe për një minutë e 58 sekonda e mposhti Bedetin. Megjithatë, Bedeti tregoi paraqitje të mirë ani se është eliminuar në rrethin e dytë. Paraqitje të mirë pati Nora, megjithëse në rrethin e parë është mënjanuar nga Loredana Ohai. Nuk duhet harruar faktin se Nora është kthyer pas disa muajve në arenën e xhudos, sepse mungoi për shkak të një lëndimit. Nora luftoi me mish e më shpirt për gjatë katër minutave, por humbi nga Ohai. Fundja ishte një prezantim i mirë i saj dhe më pak fat ka mundur të bëjë mrekulli dhe të depërtoi më tutje. Mbi gjitha, Kosova u kthye me medaljen e artë, ku të martën (me 26 gusht) Majlinda Kelmendi (52 kg) në finale i dha leksione rumunes, Andreea Chitu. Prandaj, përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, është shembull për të gjithë, sepse është i vetmi nga trajnerët shqiptarë që me garueset e tija ka ngritur në këmbë botën. Ai me punën e tij bëri një Majlindë kampione e dyfishtë të botës, ndërtojë një Nora Gjakova që ka treguar paraqitje të mirë. Majlinda solli edhe një titull të botës në Kosovë dhe gëzoi tërë popullin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat