Intervista e plotë: Majlinda: Rrallë kush i fiton radhazi dy tituj! Kuka: Rusët u dëshpëruan!

Sporti

Intervista e plotë: Majlinda: Rrallë kush i fiton radhazi dy tituj! Kuka: Rusët u dëshpëruan!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 gusht 2014 Në ora: 19:47


Xhudistja Majlinda Kelmendi (52 kg) apo trimëresha e Kosovës, mbrojti titullin e botës në midis Rusisë. Xhudistja me zemër të madhe tregoi fuqinë e saj në Kampionatin Botëror në xhudo për seniorë, i zhvilluar në Chelyabinski. Majlinda për herë të dytë radhazi fiton medaljen e artë në Botëror, pasi që të parën e fitoi vjet në Rio të Brazilit, ndërsa tashmë në Rusi dhe mahniti tërë botën. Ajo bëri paraqitje të jashtëzakonshme dhe tronditi rusët kur mundi në gjysmëfinale rusen Natalia Kuziutina (të cilën e kishte mundur edhe në finalen e Kampionatit Evropian në Montpellier gjatë muajit prill të këtij viti), pastaj në finale deklasoi rumunen Andreea Chitu. “Rrallë ndodhë që të bëhet në sport dikush radhazi dy herë kampion Bote. Jam shumë e lumtur dhe që e munda edhe rusen. Synimi im tash është Olimpiada”, tha pas garës Majlinda ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”. Majlinda fitoi të artën, fitoi edhe 900 pikë të reja botërore dhe tash edhe më shumë ka thelluar epërsinë në ranglistat botërore. Driton Kuka, gjithsesi ishte në qiellin e shtatë dhe nuk mund të gjente edhe shprehje për ta përshkruar këtë mrekulli, këtë triumf të madh dhe aq më shumë ia kënaqi zemrën fitorja në midis Rusisë. Kuka ishte i përlotur nga gëzimi i këtij ngadhënjimit të madh, nga mjeshtrit që vetëm Majlinda di t’i bëjë. I gëzuar jashtë mase dhe me emocione fliste nga Rusia për gazetën tonë, duke thënë: Ditë e madhe dhe fitore për gjithë popullin e Kosovës e kudo që janë shqiptar!

“Bota sot”:Driton, Majlinda pushton Rusinë, kampione e botës ose më konkretisht mbrojti titullin, si ndihesh në këto momente?
Driton Kuka:
Momente të jashtëzakonshme. Ishte edhe një ditë e madhe.
“Bota sot”: Cili ishte reagim i tifozëve rusë, kur Majlinda në gjysmëfinale gjunjëzoi rusen, Natalia Kuziutina?
Driton Kuka:
Lufta më e fortë ishte gjysmëfinalja. Publiku i shumtë ishte i zhgënjyer me humbjen e garueses së tyre.
“Bota sot”:Në finale Majlinda dominojë ndaj rumunes, por gjithnjë ju u dëgjuat duke i dhënë zemër asaj. Në fakt, a kishe besim se do ta mposhtni pa problem rumunen?
Driton Kuka:
Në finale realisht kemi pritur fitore më të lehtë se sa në gjysmëfinale.
“Bota sot”: Luftën e fitoi me lehtësi, po ku ishte stresi më i madh i juaj?
Driton Kuka:
Stres kemi pasur, se kjo garë është e veçantë e fortë, edhe dëshira për medalje na bën shumë nervoz.
“Bota sot”: Driton, në shumë raste ishe i qetë sidomos në luftën e finales, përse?
Driton Kuka:
Në finale saktësisht e kemi ditur çka duhet të punohet.
“Bota sot”: Fituat të gjitha me Majlindën, tash synoni edhe Olimpiadën?
Driton Kuka:
Patjetër!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat