Çështja “Neymar” përfshin edhe Bartomeu e Faus

Sporti

Çështja “Neymar” përfshin edhe Bartomeu e Faus

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 13:50

Jordi Cases konfirmoi se ka depozituar në Gjykatën e Lartë në Spanjë, kërkesën që procesit t’i përfshihen edhe presidenti aktual dhe zëvendëspresidenti ekonomik.

Çështja Neymar vazhdon të shkaktojë tronditje deri në themele te Barcelona. Ndoshta u mendua se me tërheqjen e ish presidentit Sandro Rosell, klubi do të rigjente qetësinë pas trazirave që gjeneroi debati për shifrën e blerjes së brazilianit, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Ndërkohë që Rosell vazhdon të jetë në proces gjyqësor, me shumë mundësi atij do t’i bashkohen edhe Bartomeu dhe Faus. Anëtari i klubit, Jordi Cases konfirmoi publikisht nëpërmjet avokatit se ka depozituar në Gjykatën e Lartë në Spanjë, kërkesën që procesit t’i përfshihen edhe presidenti aktual dhe zëvendëspresidenti ekonomik.

Edhe këta, ashtu si Rosell, akuzohen se kanë dëmtuar financiarisht Barcelonën me manovrat që kanë bërë kur Neymar u transferua nga Santosi. Gjithsesi fjala e fundit i takon gjykatës, e cila do të vendosë nëse dyshja drejtuese e blaugranave do të jetë pjesë ose jo e procesit gjyqësor. Me këtë lëvizje të fundit për drejtësi te Barcelona, Jordi Cases u shpreh qartë, duke thënë se qëllimi është që për mashtrimin financiar me blerjen e Neymar nuk duhet ta paguajë klubi si institucion, por personat përgjegjës që kanë hedhur firmat në kontratat e manipuluara. Pra çdo vendim penalizues që mund të japë gjykatësi në fund të procesit, duhet të shkojë në adresë të treshes Rosell, Bartomeu dhe Faus, duke mos i dëmtuar interesat e Barcelonës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat